Një shpërndarës picash në SHBA, ka marrë bakshishin e jetës. Dhe ai nuk është një shpërndarës picash i zakontë, por plot 89-vjeçar.
Derlin Newey ka vazhduar ta bëjë këtë punë, për shkak se nuk ia dilte dot vetëm me pensionin dhe punonte për “Papa John’s” për rreth 30 orë në javë.
89-vjeçari nuk po u besonte dot syve, kur familja Valdez e njohur në TikTok, i trokiti në derën e shtëpisë së tij në Utah.
CNN shkruan se ata i dhanë atij plot 12 mijë dollarë. Familja Valdez tha se gjithmonë kërkonin atë për t’i sjellë picat dhe kishin nisur ta regjistronin dhe videot e tij i hidhnin online.
“Është çmenduri. Të gjithë e duan atë”, tha Carlos Valdez. Me më shumë se 53,000 ndjekës, ata shpesh merrnin komente me pyetjen se pse Newey po shpërndante pica në moshën e tij. Familja Valdez pranon që ai nuk duhet të punonte aq shumë dhe vendosi të përdorë platformën e tyre në TikTok për të bërë një të mirë.
Ata u kërkuan ndjekësve të tyre të bënin një donacion për të ndihmuar shpërndarësin e moshuar të picave, dhe shpejt ishin në gjendje të grumbullonin 12,000 dollarë. Dhe kështu këtë radhë i shkuan ata në shtëpi për të bërë dërgesën e radhës. Ata i paraqitën atij një çek të nënshkruar nga “Familja e TikTok”.
“Si mund të them ndonjëherë faleminderit? Unë nuk di çfarë të them”, tha Newey i cili nuk po i mbante dot lotët e gëzimit. Ai nuk e di se çfarë është TikTok, por me siguri tani e ka mësuar.