Kur kanë ngelur edhe tre ditë nga përfundimi i afatit për t’u bërë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit, 165 oficerë policie, oficerë të policisë gjyqësore dhe juristë kanë shprehur dëshirën për t’u bërë pjesë e këtij institucioni.
Afati i fundit për t’u bërë pjesë e BKH-së përfundon më 29 shtator. Sipas mediave, numri i aplikantëve pritet të rritet gjatë këtyre ditëve. Pas përzgjedhjes së atyre që plotësojnë kriteret ligjore, gara për 60 hetuesit e FBI-së shqiptare do të kalojë edhe faza të tjera siç është testimi me shkrim, testi psikologjik dhe ai i poligrafit.
Nga kjo listë do të përzgjidhet edhe nëndrejtori i BKH-së. Byroja Kombëtare e Hetimit është njësia hetimore e SPAK dhe ka një ngjashmëri me FBI-në amerikane, e cila heton krime të nivelit të lartë në Shtetet e Bashkuara. Për këtë arsye hetuesit dhe drejtuesi i BKH-së do të trajnohen për tre muaj në akademinë e FBI-së në Virxhinia.