Gent Muça është larguar nga Tirana. Sipas klubit bardheblu, pas një takimi që përfundoi në shtrëngim duarsh mes presidencës dhe lojtarit Gent Muça, ky i fundit ka kërkuar largimin e tij nga skuadra.
“Me kërkesë të futbollistit për të vazhduar karrierën si futbollist në fushën e blertë, mbrojtësi shtatlartë ka hapur rrugën për brezat e rinj duke premtuar rikthimin e tij në bashkëpunime të mëtejshme me familjen e tij bardheblu. Ne i urojmë suksese të mëtejshme në karrierën e tij, njeriut që Tiranës i dhuroi gjithë jetën e tij”, lexohet në postimin e Tiranës në rrjetet sociale.
Vetë Muça u shpreh: “Sot konfirmoj largimin tim nga Klubi i Futbollit Tirana. Pas viteve të tëra duke mbajtur veshur fanellën bardheblu lë pas një histori kampionësh dhe një vit të suksesshëm. Qëllimi kryesor i këtij largimi është për ti ofruar brezave të rinj mundësinë të prekin të njëjtën ëndërr që preka dhe unë. Shtëpia e trofeve është dhe do të mbetet gjithmonë edhe shtëpia ime! E di që derën në këtë klub do ta kem të hapur kurdo. U rrita profesionalisht me dashurinë për ngjyrat bardheblu dhe i jam përgjithmonë mirënjohës këtij klubi. Falenderoj Presidentin për të gjithë mbështetjen e tij, stafin dhe të gjithë skuadrën që më kanë shoqëruar përgjatë rrugëtimit tim. I uroj ekipit suksese në Europa League dhe në çdo ndeshje më tej. FALEMINDERIT”.
Ky vendim është i befasishëm, për më tepër që nuk bëhet e ditur se ku do të transferohet futbollisti, që vetëm më 8 gusht të këtij viti kishte rinovuar kontratën me klubin e Tiranës.
Megjithatë ndonëse në sezonin e fundit ishte titullar, 33-vjeçari e kishte humbur këtë pozitë në ndeshjet e Europës, pasi në formacion po luanin futbollistë të afruar gjatë verës.