Donald Trump ka paguar vetëm 750 dollarë si tatim federal fitimi në vitin 2016, kur kandidoi për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe gjatë vitit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, tha të dielën “New York Times”. Në një seri raportimesh të realizuara pas sigurimit të regjistrit të taksave të presidentit amerikan dhe kompanive të tij për dy dekada me radhë, gazeta amerikane thotë që ai nuk ka paguar tatimfitimi për 10 nga 15 vitet e fundit.
Për të shmangur pagesat, sipas gazetës, Trump ka shtuar artificialisht shpenzimet, përfshi një faturë prej 70 mijë dollarësh për të rregulluar flokët, dhe qindra-mijëra dollarë në pagesa për vajzën e tij, Ivanka, si konsulente e organizatës. Në raport tregohet edhe sesi Trump ka përdorur postin e presidentit për të stimuluar financiarisht bizneset e tij.
Presidenti nuk vonoi ta quante këtë artikull si lajm të rremë dhe tha se kompanitë e tij i janë nënshtruar auditit për një kohë të gjatë.
Trump është përballur edhe me padi pasi nuk pranonte të bënte publike dokumente lidhur me pasurinë dhe bizneset e tij. Ai është presidenti i parë amerikan që prej viteve 1970 që nuk pranon të bëjë publike pasqyrat financiare, edhe pse kjo gjë nuk është e detyrueshme me ligj. “New York Times” pretendon se ka siguruar dosjet e financave të Trump nga “burime që kanë akses ligjërisht të to”.
Raportimi vjen vetëm pak ditë para se Trump dhe Joe Biden të zhvillojnë debatin e parë presidencial dhe pak javë para zgjedhjeve të 3 nëntorit.