Kryeministri Edi Rama gjatë një konference për shtyp iu përgjigj ashpër kërkesave të Ligës Profesioniste të Futbollit. Rama, edhe pse i hapur për disa nga kërkesat, deklaroi se mënyrat e përdorura nga presidentët e klubeve nuk do të tolerohen nga qeveria e tij.
“Patjetër një ulje fillestare, patjetër një TVSH 6% për investimet në sport, për infrastrukturën në fusha e stadium, patjetër që jemi gati të bëjmë çfarë duhet për zinxhirin e fëmijëve, por historia e këtij futbolli që duan të shkarkojnë nëpër klube paratë si pronarë në aktivitete të tjera nuk kalon. As historia me biznesmenë të pasur, që kanë veshur fanellat e futbollit dhe kujtojnë se mund të luajnë topash me qeverinë, nuk kalon. Jemi gati për të gjitha, por ka ardhur koha që mbështetjet e bashkive për klubet profesioniste, të kalojnë në mbështetje për të tjerët, për sportin, për fëmijët. Historitë me modele të ndryshme, të mos na i tregojnë më, se na i tregojnë keq. E dimë si janë zhvilluar modelet në vende të ndryshme”, deklaroi Rama.
Sipas kreut të qeverisë, bojkoti është i pakuptimtë. “Habitem si nuk e kanë mësuar që gjuha e forcës, e bojkotit e shantazhit, me mua nuk funksionon. Pse u duhet bojkoti, ndoshta kanë bërë kalkulim, që janë më rehat se bëjnë bojkot. U japin futbollistëve një minimum real, nuk kanë shpenzime të tjera dhe ndërkohë bëjnë luftë me qeverinë. Duan të bojkotojnë, mund të bojkotojnë, nuk ka problem. Ata janë ent i pavarur nga qeveria. Qeveria nuk ka detyrime ndaj futbollit profesionist. Gjithë sportet e tjera mund të ngrihen e të thonë po ne?”, vijoi kryeministri.
Në fund një thumbim, edhe sportiv. “Do të bëjmë gjithçka çfarë mundemi për vendin edhe për futbollin, por përse futbollistët duhet të jenë dhjetë vjet pa taksa? Ka shumë gjasa që disa nga ju vrapojnë më shumë se ata, kështu që me gjithë respektin për ata, jo”, përfundoi komentin ai, duke iu drejtuar gazetarëve.
Nga ana tjetër, mësohet se ka luhatje mes anëtarëve të Ligës Profesioniste. Edhe pse të gjithë janë shprehur se nuk do të zbresin në fushë për sezonin e ri, nën zë, disa presidentë kanë lënë të kuptohet se duhet të nisin kampionatin.