Ministria e Shëndetësisë ka siguruar 368 mijë doza të vaksinës kundër gripit të cilat do të jenë në dispozicion të grupeve më të rrezikuara, duke nisur personeli shëndetësor.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu nga Poliklinika Qendrore në Tiranë, ku inspektoi nisjen e procesit të vaksinimit kundër gripit, tha se ky ka qenë rekomandimi i ekspertëve në hartimin e strategjisë, ku mbrojtja nga virozat përmes vaksinës kundër gripit ishte një nga elementët kryesorë të parandalimit.
“Bazuar edhe në rekomandimin e ekspertëve, ne ja kemi dalë të financojmë në kohë dhe të sigurojmë 368 mijë doza vaksinash, sasia e parë e të cilave ka mbërritur dhe ka nisur të shpërndahet në qendrat shëndetësore, me qëllim vaksinimin e kategorive të riskut, duke filluar nga personeli shëndetësor, duke vijuar me mësuesit, edukatorët, duke vazhduar me të sëmurët kronikë, me ata mbi 65 vjeç, fëmijët. Dua të theksoj se do të jenë qendrat shëndetësore që do të organizojnë punën për vaksinimin e popullatës së rrezikuar.
Ato kanë bërë listën e personave të riskut. Kontingjenti i parë i vaksinës tashmë ka mbërritur. Në fillim do të vaksinonet, personeli mjekësor dhe në vijim deri në nëntor do të vazhdohet me serinë tjetër të vaksinave që do të mbërrijnë”, tha ministrja.
Përgjegjësja e Inteligjencës Epidemike në ISHP, Eugena Tomini, tha se nga vaksinimi do të përfitojnë disa grupe risku dhe në këtë situatë të shkaktuar nga COVID19, vaksinimi do të jetë një masë parandaluese që këto grupe risku të mos infektohen nga virozat që qarkullojnë meqënëse qarkullojnë paralelisht me COVID19.
Programi i vaksinimit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, këtë vit nis më herët se çdo vit, si pjesë e strategjisë vjeshtë-dimër për përballimin e situatës së krijuar për shkak të pandemisë së COVID-19.