Franca pranë izolimit të ri, 3 qytete në alarm maksimal për Covid-19. Çekia drejt rikthimit të gjendjes së jashtëzakonshme
Edhe pse infektimet ditore janë gati tre herë më të ulta se në valën e parë të pandemisë, Kancelarja gjermane Angela Merkel paralajmëroi se vendin ashtu si gjithë kontinentin, e pret një periudhë e vështirë nga COVID-19.
Përpara Parlamentit, Merkel shpalosi masat e reja që ndalojnë festat me më shumë se 25 pjesëmarrës dhe grumbullimet në ambiente publike me më shumë se 50 persona.
Qytetarëve u bëri apel të respektojnë rregullat kundër përhapjes, mbajtjen e maskës dhe distancën social, që të ruhet sipas saj ajo çfarë është arritur deri më tani.
“Jam e sigurtë që jeta siç e kemi njohur ne do të rikthehet. Familjet do të festojnë sërish. Klubet, teatrot dhe stadiumet do të jenë sërish plot dhe çfarë gëzimi do të jetë. Por tani duhet të veprojmë me durim dhe arsye që të shpëtojmë jetën tone”.
Gjermania renditet mes vendeve që ia kanë dalë të ruajnë shifra të ulta prej rreth 2 mijë infektimesh ditore gjatë javëve të fundit kur në gjithë globin, rastet e reja janë shtuar në mënyrë drastike.
Franca pranë izolimit të ri
Franca ndodhet pranë një izolimi të ri për shkak të pandemisë Covid-19. Parisi Lioni dhe Lila janë afër pragut të aktivizimit të alarmit maksimal sa i përket përhapjes së infeksionit.
Mediat franceze raportojnë se niveli në këto tre qytete ka arritur në 250 raste të reja për 100 mijë banorë. Kjo ka bërë që të rritur numri i pacientëve të shtruar në spitale. Gazeta e njohur “Le Parisien” shkruan se me këto nivele, izolimi i ri kombëtar është në dyert e Francës.
Megjithatë qeveria ka konfirmuar se nuk do të ketë mbyllje të përgjithshme të universiteteve, edhe pse sipas të dhënave, një e treta e vatrave të reja të Covid-19, raportohen pikërisht nga ambiente shkollore.
Edhe Çekia drejt gjendjen së jashtëzakonshme
Çekia pritet të shpallë sërish këtë pasdite gjendjen e jashtëzakonshme. Shifrat e infektimeve ditore në këtë vend janë ndër më të lartat në kontinent, në krahasim me numrin e popullsisë. Ndërsa Izraeli që ndodhet në karantinë kombëtare ndaloi çdo lloj tubimi, teksa në vend organizohen vazhdimisht protesta anti-karantinë.