Bota Rruga e tretë e Macron: Dialog strategjik me Rusinë. Nuk mund të...

Rruga e tretë e Macron: Dialog strategjik me Rusinë. Nuk mund të jetojmë në një botë bipolare SHBA-Kinë

Presidenti i Francës Emmanuel Macron ka bërë thirrje nga kryeqyteti i Lituanisë që Europa të shkëputet nga varësia strategjike e sistemeve amerikane të armatimit. Duke folur në një debat me student të Vilniusit, Macron ka vënë në dukje se Europa duhet të marrë në dorë fatin e vet.

“Ne, disa vende më shumë se të tjerë, dorëzuam pavarësinë tonë strategjike duke u varur me tepër seç duhet nga sistemet amerikane të armatimit. Ne nuk mund të pranojmë të jetojmë në një botë bipolare të krijuar nga SHBA dhe Kina”, tha Macron.

Mediat raportojnë se Macron ka mbrojtur po ashtu politikën e vet me Rusinë, teksa ka folur edhe historinë e marrëdhënieve të Europës me Lindjen.

“Ne jemi të ndërgjegjshëm për fqinjin tuaj si dhe për historinë tuaj dhe është në këtë frymë të kuptimit reciprok, transparencës, mbrojtjes së sigurisë tuaj që ne duam të kontribuojmë në rinisjen e dialogut strategjik me Rusinë. Ky dialog nuk mohon ndonjë pjesë të historisë europiane por dëshiron të përballet me historinë dhe gjeografinë tonë”, ka shtuar Macron.

Liderët balltikë janë kujdesur që të mos ndajnë entuziazmin e presidentit francez që kërkon protagonizëm kudo ku shkon, ndërkohë që siguria e tyre varet gjerësisht nga SHBA, përkundrejt perceptimit se Rusia konteston edhe pavarësinë e tyre.

Për Macron Europa mund të ekzistojë vetëm nëse ndërton një “rrugë të tretë në çështjet globale” duke mos u ndruajtur në konfirmimin e interesave të veta.