Pas përfundimit të mbledhjes së radhës të Këshillit Politik, Damian Gjiknuri deklaroi se mazhoranca i ka bërë një propozim opozitës së bashkuar.
“Bëmë një propozim si PS: nisur nga ndryshimet kushtetuese që kanë ndodhur, i propozuam që të na sjellin një variant të koalicionit të shkruar dhe nëse ne nuk e pranojmë, i drejtohemi ODIHR-it. Këta duan që të krijojnë vakuum ligjor për moszhvillimin e zgjedhjeve. Kompromis do të thotë të gjesh kompromis për disa modele. Të imponosh konsensus me modele joevropiane është e papranueshme”, tha Gjiknuri.
Sipas tij, “pjesa e kodit ka rënë sepse ka ndryshuar Kushtetuta tashmë. Është debat i ezauruar në korrik dhe t’i rikthehesh këtij debati do të thotë ta bllokosh”
Ndërsa Oerd Bylykbashi i PD-së u shpreh: “PS-ja refuzoi në mënyrë të vazhdueshme që të ndryshojë qëndrimin e saj, ndërsa opozita kërkon që t’i drejtohemi OSBE/ODIHR. Por, PS sot tregoi frikën e saj nga përgjigjja e atij që e kemi pranuar si arbitër. Nëse nuk ndryshon qëndrim, PS-ja bllokon punimet e Këshillit Politik”.
Petrit Vasili i LSI-së zbuloi se çfarë kishte thënë Gjiknuri në mbledhje: “Gjiknuri tha se duke qenë se jemi mazhorancë, miratojmë ligjin që na leverdis. Kjo shpjegon më së miri që kemi të bëjmë me qëndrim të njëanshëm të diktuar nga frika e rezultatit të zgjedhjeve. Opozita kërkon vetëm standarde të larta zgjedhore, por PS përpiqet të bëjë rregulla për të favorizuar vetveten”.