Me tone alarmante presidenti Ilir Meta akuzoi qeverinë se po merr borxh, duke rrezikuar falimentimin ekonomik dhe financiar të shtetit, për të paguar për çështjet që Shqipëria ka humbur në arbitrazh ndërkombëtar. Meta e quajti këtë një veprimtari kriminale të organizuar që shkatërron, jo vetëm financat e shtetit, por edhe ato të çdo familjeje shqiptare.
Presidenti Meta paralajmëron se stabiliteti ekonomik dhe financiar i vendit është kthyer në një rrezik kërcënues për vendin, pas humbjeve në Gjykatën e Arbitrazhit.
Në komunikimin e përjavshëm më gazetarët kreu i shtetit njoftoi se ekziston një tjetër padi nga një investitor i huaj, i cili i kërkon Shqipërisë 100 mln euro, ndërkohë që nuk ka marrë asnjë informacion edhe pas kërkesave të dërguara prej tij.
“Një padi tjetër, një investitor i huaj kërkon 100 mln euro nga Shqipëria dhe qytetarët shqiptarë.
Përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave të Republikës së Shqipërisë është kthyer në rrezik kërcënues për financat dhe stabilitetin ekonomik financiar të vendit. Kur ekonomia nuk e rimerr dot veten nga tragjedia e tërmetit dhe pandemia dhe ku rritet niveli i borxhit publik, ku barrë të rëndë po shkakton papërgjegjshmëria”.
Kreu i shtetit paralajmëron avokaturën e shtetit, e cila nuk e ka informuar për humbjet në Gjykatën e Arbitrazhit, se do të mbajë përgjegjësi, ndërsa shton se fshehja e informacionit është e qëllimtë.
“Heshtje e plotë kjo nuk tregon papërgjegjshmëri, por përpjekje e hapur për të fshehur informacion për çështjet e humbura në Gjykatën e Arbitrazhit ndërkombëtar.
Avokatura e Shtetit të bëjë transparencë. Kur avokatura nuk i kthen përgjigje kreut të shtetit, provon qartë se brenda saj fshihet një qëllim kriminal dhe për këtë do të mbajë përgjegjësi individuale”.