Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, u zotua të premten gjatë një vizite në Dubrovnik, qytetin bregdetar kroat se Uashingtoni do të mbetet “jashtëzakonisht i angazhuar” në Ballkan.
Sekretari Pompeo i bëri këto komente gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç.
Ai vlerësoi lartë dakordimin për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që u arrit muajin e kaluar në Shtëpinë e Bardhë.
“Shtetet e Bashkuara nuk udhëheqin më duke qëndruar prapa. Ne kemi qenë tepër të angazhuar në këtë rajon në frontin diplomatik. Ju përmendët punën që kemi bërë me Kosovën dhe Serbinë. Edhe atje ka më shumë punë për të bërë. Është një proces, por kemi bërë një hap të parë të mirë, një veprim të mirë përpara”, tha ai duke theksuar se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të angazhohen në mënyrë serioze edhe me Bosnjën dhe Hercegovinën.
“Shtetet e Bashkuara do të përdorin mundësitë e tyre diplomatike për të qëndruar të angazhuara dhe për të siguruar një rezultat atje që sjell një gjë të mirë për Evropën, një gjë të mirë për qytetarët e Kroacisë, një gjë të mirë për qytetarët e rajonit“, tha sekretari Pompeo.
Ndërsa Uashingtoni po hiqte dorë nga Ballkani pas përfundimit të luftërave të viteve të 90-ta, Moska dhe Pekini shpejtuan të mbushin boshllëkun.
Kina e bëri atë përmes programit të saj ekonomik me shumë miliarda dollarë, ndërsa Rusia nëpërmjet trysnisë politike, kryesisht përmes Serbisë, aleatit të saj tradicional sllav.
Vizita e sekretarit Pompeo në Dubrovnik, qytetin buzë Detit Adriatik, ishte hapi i fundit i turneut të tij evropian që përfshinte gjithashtu Greqinë, Italinë dhe Vatikanin.
Sekretari Pompeo tha se do të vazhdojë vizitën e tij të planifikuar për javën e ardhme në Japoni, Korenë e Jugut dhe në Mongoli, me gjithë njoftimin se presidenti Donald Trump është prekur nga koronavirusi.
Ai tha se është testuar sërish dhe doli negativ për COVID-19, ndërsa vizitë në Azi është dëshmi e përkushtimit të fuqishëm amerikan ndaj aleatëve dhe miqve në rajon./VOA