Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit ekonomik që i hap rrugë ndërtimit të HEC-it të Skavicës. Në krah të Nënsekretarit amerikan për Zhvillimin Ekonomik, Energjinë dhe Mjedisin, Kith Krach, kryeministri Rama e cilësoi investimin amerikan, realizim të një ëndrre gjysmëshekullore që shënon nisjen e një kapitulli të ri për investimet e huaja në Shqipëri.
“Do të rrisë eksportet shqiptare dhe do të fusë në rrugën përfundimtare të realizimit ndërtimin e HEC-it të Skavicës. Gjë që e kthen Shqipërinë nga një vend i pasur nga burimet energjetike, por i varur nga moti, në një vend sovran në aspektin e prodhimit të energjisë.”
Hidrocentrali i Skavicës i është besuar kompanisë amerikane Bechtel që ka ndërtuar Rrugën e Kombit, emrin e të cilës e zbuloi gjatë konferencës për shtyp nënsekretari amerikan Krach, i cili e quajti projektin si historik e me rëndësi kombëtare.
Projekti
Gjatë hapjes së procedurave për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës në qershor të këtij viti, qeveria parashikonte ta realizonte këtë vepër 100% me fondet e saj.
I gjithë projekti kushton 500 milionë euro.
Hidrocentrali konsiderohet investim strategjik pasi sjell pavarësi dhe e kthen Shqipërinë në një faktor kyç në sektorit energjetik të rajonit.
Ndërtimi i këtij hidrocentrali e ka zanafillën në vitin 1963, kur nga një studim i kryer u përcaktua ndërtimi i 5 hidrocentraleve mbi Drin.
Aktualisht mbi këtë lumë janë ndërtuar 3 hidrocentrale ndërsa projekti i Skavicës nuk u zbatua për shumë arsye.
Nga studimet e fizibilitetit, qeveri ka parashikuar dy alternativa, ku projekti më ambicioz ka një kosto prej 500 milionë euro.
Projekti parashikon ndërtimin e një dige me lartësi 443 metra. Pjesë e projektit është dhe ndërtimi i një tuneli nëntokësor me gjatësi 3 km.
Sa i takon prodhimit të energjisë elektrike, fuqia e instaluar do të jete 210 megavolt, ndërsa prodhimi vjetor llogaritet 915 GWh.
Nëse do të ndërtohet ky variant, hidrocentrali i Skavicës do të jetë i katërti në vend, ndërsa për prodhimin do të jetë pas Komanit dhe Fierzës.
Ndikim do të ketë që para përfundimit të kësaj vepre pasi do të jetë punëdhënësi më i madh në zonën e Kukësit, pasi do të sjellë punësim masiv gjatë ndërtimit.
Nga ana tjetër pritet të sjellë zhvillim sa i takon turizmit dhe investimeve për ndërtimin e fermave për kultivimin e peshkut.
Periudha e ndërtimit llogaritet të zgjasë 4 deri në 5 vite, por me marrëveshjen e nënshkruar me SHBA, ku ndërtimi do të merret përsipër nga Bechtel, ky afat edhe mund të shkurtohet.