Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç thotë se vendi i tij duhet të garantojë paqen dhe stabilitetin me çdo kosto. Sipas Vuçiç nga konflikti më i fundit mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, që ai e quan “konflikt i ngrirë’ duhet nxjerr mësim pasi komuniteti ndërkombëtar u mjaftua vetëm me deklarata.
“Pamë një impotencë absolute të të gjithë komunitetit ndërkombëtar në atë konflikt. Kjo është arsyeja pse jam kundër konfliktit të grirë”, tha presidenti serb. “Është një mësim për ne. Situata në botë ka ndryshuar, ka më shumë interesa konkrete dhe ne duhet të jemi gati për të shpëtuar vendin në çdo kohë. Jam kundër mbajtjes së konflikteve të ngrira në çdo vend të Ballkanit”, shtoi ai.
Ndaj nënvizoi Vuçiç gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për negociatat me Bashkimin Evropian, është jetike që të tentohet kompromisi me shqiptarët. “Nuk duhet t’u lëmë fëmijëve konflikte të ngrira, sepse një ditë mund të zgjohen dhe të shkojnë në luftë”, tha ai.
Vuçiç u shpreh se Serbia është një vend i vogël në udhëkryq dhe që ka probleme me integritetin e territorit, që praktikisht është një situatë e vështirë. Presidenti serb veçoi dy prioritete të politikës së jashtme të vendi të tij duke përmendur garantimin e paqes dhe sigurisë në rajon si dhe rritjen ekonomike të vendit.
Sipas tij, Serbia sot nuk është vetëm lider në Ballkanin Perëndimor por një nga vendet më të suksesshme të Evropës. Ai shtoi se, 7 muajt e fundit, pavarësisht pandemisë, vendi ka pasur 1.6 mld euro investime të huaja. Papunësia tha si ka shkuar në nivel rekord, 7.3%.
Presidenti serb tha se, bota sot është multipolare me katër superfuqi – BE, SHBA, Rusi dhe Kinë. Vuçiç shtoi se, Serbisë për herë të parë i janë hapur dyert e Shtëpisë së Bardhë, ndërsa veçoi se vendi i tij ka marrëdhënie të mira me Rusinë dhe Kinën. Synimi tha ai është integrimi në BE, por kjo nuk do të thotë se, Serbia nuk do të vazhdojë të jetë një vendi me opinion të pavarur.