Extra Ish-gruaja e Trump: Jam e stresuar, ishte i pakujdesshëm ndaj koronavirusit

Ish-gruaja e Trump: Jam e stresuar, ishte i pakujdesshëm ndaj koronavirusit

Ish-bashkëshortja e ka quajtur presidentin amerikan, Donald Trump “të pakujdesshëm” pasi ai u infektua me koronavirus.

Gruaja e parë e Trump-it, Ivana Trump thotë se po qëndron në kontakt me tre fëmijët e tyre dhe se po ndjek lajmet lidhur me shëndetin e presidentit.

“Është një kohë shumë e vështirë”, thotë 71-vjeçarja për revistën People. “Është një stres”.

Më pas ajo shton: “Ishte i pakujdesshëm. Mendonte se ai s’do të infektohej me virusin”.

“Unë kam folur me të gjithë fëmijët e mi dhe ata, sigurisht, janë të shqetësuar”- thotë Ivana, duke iu referuar Donald Trump Jr, Eric Trump dhe Ivanka Trump – tre fëmijët që ajo ka me presidentin nga martesa e tyre, e cila zgjati nga 1977 -1992.

Mes të tjerash, Ivana Trump, tha se është e tronditur nga lajmi për infektimin e koronavirusit, pasi ai ishte shumë i pastër dhe i shëndetshëm.

“Jam tronditur sepse ai është personi më i pastër dhe më i shëndetshëm. Por jo më i shëndetshmi me ushqim, por nga aspekti i pastërtisë. Gjithmonë lan duart, është i kujdesshëm. Pika e tij e dobët është ushqimi. E preferuara e tij është Big Mac – është dobësia e tij më e madhe”, shtoi Ivana Trump.

Presidenti Donald Trump, i cili është 74-vjeç, u dërgua në Spitalin Walter Reed të premten pasdite ku po trajtohet për koronavirusin. Gruaja e tij Melania Trump gjithashtu ka rezultuar pozitive.