Presidenti Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama vijojnë replikat në distancë. Kësaj radhe, kreu i shtetit i është përgjigjur Ramës me një video kur ky i fundit bënte elozhe për Ilir Metën gjatë kohës që ka qenë kryeministër.
Në postimin në Facebook, Meta i bën thirrje Ramës që të reflektojë për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të cilat mazhoranca kërkon t’i votojë ditën e nesërme në Parlament.
“Edi, faleminderit për fjalët e mira që ke thënë për mua 20 vite më parë dhe që m’i thua gjithmonë kur takohemi nga afër. E di vetë ti! Por nesër është një ditë e rëndësishme për shqiptarët, ndaj të lutem mos dëgjo më bandat dhe oligarkët se nuk ja u ka parë kush hajrin! Koha për një frymë të re, për një bashkëjetesë qytetare dhe europiane, është tani! Respekto Marrëveshjen e 5 Qershorit dhe të lutem hapi listat, për socialistët në radhë të parë dhe për të gjithë shqiptarët”, shkruan Meta.
Më herët, Rama shkoi në Twitter se “Ilir aman të keqen thuaja shqiptarëve çfarë borxhi të kanë ty që t’i dhanë të gjitha siç nuk ia kanë dhënë askujt në historinë e shtetit të tyre dhe prapë nuk ngopesh dhe nuk pushon së ngatërruari dynjanë në Shqipëri e matanë?! Thuaja pash Zotin çfarë borxhi të kanë akoma”!