Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump u bë sërish objekt kritike pas veprimit të tij të fundit ditën e dielë.
Lideri i Shtëpisë së Bardhë i cili është duke u kuruar për koronavirus, la për disa minuta spitalin e “Walter Reed” për të dalë në rrugë për të përshëndetur mbështetësit e tij.
Trump u pa në një makinë të zezë, me maskë me dy truproja me masa mbrojtëse duke kaluar në kordonin e mbështetësve përgjatë rrugës së spitalit ku qëndron prej disa ditësh.
Por ky veprim nuk gjeti mbështetjen e mjekëve dhe shumë njerëzve të cilët u shprehën se presidenti rrezikoi jetën e dy anëtarëve të Shërbimit Sekrete. Sipas tyre kjo gjë ishte çmenduri dhe e panevojshme. “Ata mund të sëmuren dhe mund të vdesin për një teatër politik”, tha doktori James Phillips.
Sipas raportimeve, Trump pritet që së shpejti të largohet përfundimisht nga spitali për të vijuar trajtimin antiCovid nga shtëpia. Ndërkohë në shumë media është ngritur një tjetër akuzë ndaj Donald Trump, ku thuhet se presidenti amerikan e fshehu rezultatin e testit të parë pozitiv për koronavirus.