Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, do të nderohet me një tjetër çmim në letërsi dhe njoftimi u dha nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Përmes një postimi në Twitter, selia diplomatike e SHBA, njoftoi se shkrimtarit Kadare do t’i jepet Çmimi Ndërkombëtar Neustadt për Letërsinë dhe ceremonia e dorëzimit do të mbahet virtualisht.
“Kemi kënaqësinë të njoftojmë se shkrimtari i shquar shqiptar Ismail Kadare do të nderohet me Çmimin Ndërkombëtar Neustadt për Letërsinë. Këtë vit mbrëmja zhvillohet virtualisht dhe do të jetë pa pagesë për të gjithë ata që regjistrohen”, shkruhet në njoftim.
Çmimi Ndërkombëtar Neustadt për Letërsinë, është një vlerësim që bëhet një herë në dy vjet dhe që sponsorizohet nga Universiteti i Oklahomës dhe botimi i tij ndërkombëtar “World Literature Today”.