Kreu i Shtetit Ilir Meta prej disa ditësh ka lënë kostumin presidencial duke kërcënuar pothuajse përditë mazhorancën. Sot, presidenti u shpreh me tone të ashpra ndaj vendimit të mazhorancës për të miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
“E ashtuquajtura mazhorancë të thellohet. Po kështu, të ashtuquajturit opozitarë në parlament, nëse duan të quhen opozitar nuk duhet t’u shkojë mendja të mbyllin sot derën e integrimit Europian të Shqipërisë. Sot, ai që ngre dorën për të prekur 5 qershorin, përveç listave të hapura 100%, që çdo shqiptar i duartroket, ai ngre dorën kundër integrimit Europian të Shqipërisë.
Ai vendos “pusht” pushtetin e partisë mbi një interes kombëtar të të gjithë shqiptarëve. Unë dëshiroj të mos e bëjnë. Kushdo që ngre dorën duhet ta dijë se përgjegjësinë do ta ketë edhe individuale për këtë përmbysje të pabesë të rregullave të lojës. Presidenti do të publikojë emrat e të gjithë atyre që do ta bëjnë këtë”, u shpreh Meta.
Ndërkohë, në nisjen e seancës ku pritet të votohet drafti me ndryshimet kushtetuese, Kryeparlamentari Ruçi vlerësoi se Kuvendi iu afrua maksimalisht të gjitha alternativave të mundshme të forcave politike. Sipas Ruçit, ndryshimet kushtetuese në Kodin Zgjedhor janë të standardeve europiane, ndaj kërkoi që deputetët të votojnë pro tyre.
“Kjo seancë është stacioni i fundit të një rrugëtimi të gjatë. Miratimi u vështirësua nga pengesa të paparashikuara, por asgjë se pengoi kuvendin të ecë drejt mbylljes. Ne as prisnim dhe as kemi insistuar të kemi një konsensus politik për gjithçka. Në një republikë parlamentare konsensusi i plotë është vetëm një ideal, i cili në jetën reale realizohet si një konsensus parlamentar kushtetuese. Ligjet dhe vendimet që do të miratojmë sot, nuk janë një produkt laboratori, por janë një rezultat i një procesi politik, i cili mbështetet në themele të forta kushtetuese. Do të falënderoja Këshillin Politik dhe opozitën joparlamentare për hapin e parë të kthimit në sistem”, u shpreh Ruçi në nisje të seancës.