E ndërsa presidenti Ilir Meta pati kërcënuar se nëse do të prekej marrëveshja e “5 qershorit” ai do të zbriste në shesh, pas miratimit të Kodit të ri Zgjedhor, kreu i shtetit ka zbritur zyrtarisht në “fushë”.
Përmes zëdhënësit Tedi Blushi, Presidenca paralajmëron se do të publikojë të martën e 6 tetorit emrat e të gjithë atyre që ngritën dorën për izolimin e Shqipërisë deri në 25 Prill.
“Zero surprizë nga Kuvendi i Turpit dhe Kokoshkave, që ulin kokën dhe ngrenë dorën. Ka vetëm një fajtor dhe ky është Mister 1 Prilli ose Profeti i Kokoshkave. Të tjerët janë bashkëpunëtorët e tij të rëndomtë, të blerë, të kapur, të shantazhuar e të nënshtruar. Nesër publikojmë emrat e të gjithë atyre që ngritën dorën për izolimin e Shqipërisë deri në 25 Prill”.
Presidenti paralajmëron shpartallimin e plotë të këtij komploti , siç e quan ai, të mirëorganizuar prej 20 vitesh kundër popullit dhe kombit tonë, për defaktorizimin e shqiptarëve si një popull dhe komb europian.
“Tre milionë shqiptarë do të dinë si t’i përgjigjen këtij provokimi të poshtër, në mënyrë të bashkuar, europiane dhe Shqiptare. Askujt të mos i vijë keq për popullin shqiptar.
Nuk jemi bërë për mëshirën e askujt. Do t’i dalim zot vetë vendit tonë dhe do tregojmë se e meritojmë Demokracinë dhe Lirinë.
Nga 25 Prilli fillon një EPOKË E RE në Shqipëri. Ajo e sundimit të popullit përmes referendumeve. Vetëm kjo do garantojë sundimin e ligjit dhe fundin e kësaj oligarkie antishqiptare.
Numërimi mbrapsht sapo filloi. Jetën e japim, por demokracinë dhe lirinë kurrë më!”, thotë zëdhënësi i Presidencës.