Bota “Masakra e Medellin-it”, lufta e parë karteleve kolumbiane të drogës

“Masakra e Medellin-it”, lufta e parë karteleve kolumbiane të drogës

Baronët e Kokainës Kolumbiane!

“Brenda qytetit Medellin në Kolumbinë Lindore, qyteti i dytë më i madh në vend me popullsi disa milionëshe, i njohur “Qyteti i Orkideve” dhe me tregun më të madh të prodhimit të kafesë, porse në dekadat e fundit të shekullit të kaluar bëri emër e famë si Perandoria e Kartelit Medellin alias Perandoria e Mbretërve të kokainës kolumbiane.”

Nga Raimonda MOISIU

Tregtia e kokainës është konsideruar përherë në mënyrë unike, industria parësore e Amerikës Latine; kaçubet e shkurret në malet Andeane kryesisht në Peru dhe Bolivi sigurojnë lëndën e parë.

Gjethet e shkurreve të kokos (Coco) kishin një rol të rëndësishëm në traditën kulturore nga indianët e Andeane-ve të Amerikës së Jugut para dymijë vjetëve, që në epokën para-Incan ashtu dhe Perandorinë Inca, të cilët e përtypnin dhe vepronte si një nxitës, për të shuar urinë, etjen dhe lodhjen. Vetëm në dekadën e fundit të shekullit të 19-ë, kultivimi i shkurreve të kokos u bë gjerësisht si lënda e parë për prodhimin e kokainës- e cila përdorej edhe për trajtime mjekësore nga stimuluesit. Komponenti farmaceutik aktiv i kokos është kokaina alkaloid në gjethet dhe shkurret e freskëta të saj.

Kimistët dhe farmacistët filluan të përpunojnë sasi të mëdha të gjetheve të kokos derisa arritën të prodhonin kokainën e parë.

Në vitet 1960-ë dhe në fillim të viteve 1970-ë, kokaina u përpunua në formë pelte në Peru dhe Bolivi dhe përpunohej me klorhidrat kokaine në laboratorë të vegjël në Kilin verior, fillimisht në sasi të vogla që u shitej yjeve të filmave dhe sportistëve.

Në mes të viteve 1970-ë, operacioni i rafinimit u zhvendos në Kolumbi – gjithashtu e njohur si vendi kryesore i rritjes së marihuanës.

Kolumbianëve të rinj të trafikimit të marihuanës u lindi ideja; po sikur të përdorimin të njëjtat metoda edhe për kokainën për të rritur fitimet që do të ishin jashtëzakonisht të mëdha?

Ideatorët e revolucionit të kokainës ndoqën traditën e fermerëve të vegjël të Amerikës Latine, të tregtarëve dhe të një pakice shpërndarësish të papërfillshëm, më mirë sesa ata të sindikatave ndërkombëtare të krimit.

Ngarkesat me marihuana transportoheshin në shtetet e tjera nga ajri e deti, me aeroplan dhe me jahte.

Para vitit 1973, kultivimi i pakufizuar i kokos dhe marketingu masiv në tregun e paligjshëm të kokainës, e kishte qendrën në Kili dhe kontrollohej nga disa trafikantë që transportonin kokainë në veri të kontinentit latin, drejt SHBA-ës, transport që bëhej edhe me ndërmjetësimin e kontrabandistëve kolumbianë. Në atë kohë kërkesat për lëndët narkotike në SHBA-ës, ishin tejet të kufizuara. Ishin të paktë ata që kërkonin dicka më ndryshe se marijuana, dhe me më pak efekte anësore të dëmshme se sa heroina. Kilianët bënin një jetë të begatë dhe fitimprurëse nga kokaina; paçka se tregu ishte relativisht i vogël. Kjo lloj mirëqenie filloi të ndryshojë në shtator të vitit 1973, kur gjenerali i ushtrisë kiliane Augusto Pinochet Ugarte rrëzoi Presidentin Marksist të zgjedhur dhe në pushtet, Salvador Allende Gossens. Policia e Pinochet-it i burgosi dhe deportoi dhjetëra trafikantë droge, derisa trafiku dhe tregtia e kokainës kiliane falimentoi përfundimisht. Qysh prej asaj kohe tregtia e kokainës u zhvendos në Kolumbi, e cila tashmë kishte eksperiencën dhe zotësinë për kontrabandën e lëndës narkotike si Kili, që kalonte lehtësisht tek prodhuesit e gjetheve të kokos në Peru dhe Bolivi. Që në fillimet e saj, prodhimi i kokainës kolumbiane e kishte qendrën brenda trekëndëshit të kufizuar të qyteteve andeane; Bogota, Medellin dhe Cali, veçse Medellin dominonte marketingun e kokainës.

Së pari kjo nuk ishte e lehtë për ta kuptuar dhe sipas zyrtarëve dhe agjentëve të agjencisë ligjzbatuese të administratës amerikane kundër drogës (DEA), ishin kryesisht të shqetësuar për kontrabandën e marijuanës nga kontrabandistët e zonave bregdetare, por ata pothuajse nuk e kishin idenë fare ose aspak, në lidhje me kokainën.

Përvoja e parë që “u hapi sytë”, ishte përballja në 22 nëntor 1975, kur policia ndaloi dhe sekuestroi një aeroplan të vogël që ishte përpjekur të dilte fshehtazi nga aeroporti i Calit. Gjashtëqind kilogram kokainë e gjetur në depon e ngarkesave të aeroplanit, shënuan konfiskimin më të madh në histori, për atë kohë. Konfiskimi ndërseu rivalitetin, hakmarrjen dhe luftën mes grupeve e rrjeteve të trafikantëve dhe kontrabandistëve kolumbianë, një nga luftërat e para për kontrollin e tregut dhe territorit të kokainës, e cila më pas do të trondiste periodikisht shtetin.

Arsyet e luftës nuk ishin të qarta, rezultati sidoqoftë, ishte. Dyzet persona u vranë vetëm në një fundjavë, dhe të gjitha këto vrasje u kryen në Medellin, jo në Cali. Pavarësisht se kujt i përkiste aeroplani me kokainën e sekuestruar, u duk qartë se linja e tregut të kokainës fillonte në Medellin.

“Masakra e Medellin-it” njollosi imazhin e Qytetit të Orkideve që kultivonte me aq dashuri, kujdes e pasion lulen e orkides. Tashmë vëmendja e zbatimit të ligjit u përqëndrua në periferinë e shtresave sociale, klasës punëtore dhe lagjet e varfra të qytetit në skajin verior, që ishte djepi i industrisë së prodhimit të kokainës. Këtu njerëzit mbanin armë, thika dhe çdo gjë tjetër që mund t’u jepte atyre një mbrojtje, siguri dhe epërsi në luftën e përditshme për të mbetur gjallë.

Në vitin 1979, pjesa veriore e Medellin ishte vendi me rrezikshmërinë më të lartë se ndonjë vend apo qytet tjetër në krejt Amerikën Latine. Këtu, ideja ishte që të pasuroheshin dhe të zhvendoseshin në jug, që të jetonin si pjesa tjetër e aristokracisë dhe parisë së vendit, të blinin një shtëpi të madhe me fermë ku të kalonin pushimet. Paratë e përfituara nga droga arritën t’i shndërronin nga trafikantë ordinerë të ardhur nga veriu i Medellin-it, në biznesmenë të respektuar konservatorë, brenda natës. Lordët e kokainës nga mesi i viteve 1970-ë ishin burra në moshë të thyer, kryesisht kontrabandistë “paisa”, të cilët kishin mbushur xhepat dhe portofolët e tyre nga droga, kur u jepej mundësia. Tashmë ata po zëvendësoheshin nga trafikantët e rinj që merreshin me kokainë dhe çdo lloj tjetër kokaine dhe lëndë narkotike. Në vitin 1976-ë, ata i përzunë distributorët, dhe morën nën kontroll shpërndarjen dhe shitjen në Majami. Brenda tre viteve, katër ose pesë kartele kolumbiane të drogës zotëronin të gjithë trafikimin dhe tregun e kokainës në Majami. Nga fundi i viteve ’70-ë, kur tregëtia e drogës u duk sikur po u dilte nga kontrolli, sepse preferencat nga marijuana në kokainë po ndryshonin dhe rritja e kërkesave për lëndët narkotike rriti edhe çmimin shumë lart; 1 kg kokainë shitej për $ 51,000 në Majami, nga $34, 000 që shitej një vit më parë, dhe më shumë kilogramë si kurrë më parë po trafikoheshin drejt Floridës, me 8246 milje vijë bregdetare për t’u patrulluar.

Shteti i Floridës u shndërrua në Parajsën e kontrabandistëve dhe tregtarëve të lëndëve narkotike, ndërsa Majami u shndërrua në Metropolin e Kokainës. Bankat e Majamit ishin të mbushura plot me CASH-që pastroheshin dhe klubet e natës frekuentoheshin vetëm nga latinët që ruheshin dhe vëzhgoheshin nga bodigardë me kostume dhe jelek antiplumb. Kolumbia u bë kryeqyteti historik i vrasjeve të botës që shënoi elementin e veçantë në histori; “La Violenca”- vendi që shkroi epokën e historisë së tij me qindra mijëra vrasje, kryesisht politike të cilat vazhduan deri në fund të viteve 1940, koha kur lindi brezi i ardhshëm; Pablo Escobar, Jorge Luis Ochoa, Carlos Lehder dhe Jose Gonzalo Rodriguez.

Vijon