Tre persona, kushërinj mes tyre, rezultojnë të zhdukur që prej pasdites së ditës së shtunë të 3 Tetorit në Malësi të Madhe. Vilson Çutaj 37 vjeç së bashku me Klement Pepaj 21 vjeç dhe Danjel Pepajn 25 vjeç kanë humbur kontaktet me familjen.
Sinjalizimi për zhdukjen e tyre u dha nga vëllai i Vilson Çutaj. Banorët e fshatit janë shprehur se kanë dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Dyshimet janë që tre djemtë mund të jenë përfshirë në konflikt për shkak të pazareve të drogës.
Prindërit e 21-vjeçarit Klement Pepaj shprehen se nuk kanë dijeni që djali i tyre të ishte i përfshirë në konflikte. Ata kanë dyshimet e tyre, dhe mendojnë se njëri prej të rinjve, që është dhe i afërmi i tyre, të ketë gisht në këtë ngjarje dhe të ketë vrarë djalin e tyre.
Babai: Klement Pepaj ka humb vet i treti. Thonë që kanë dëgjuar krisma armësh, edhe ne nuk dimë asgjë për ta. Policia ka bashkëpunuar me ne, por që i ka kërkuar dhe asgjë s’dihet për ta. Unë djalin e kam lënë në shtëpi me gruan time. Kur kam ardhur në shtëpi nuk e kam gjetur. E kam pyetur gruan ku është djali? Ka thënë ka dalë të pijë një kafe me Vilsonin. Ai s’më ka thënë se ka konflikte me njeri. Tani s’di ç’a të them. Ndoshta ka pasur konflikte dhe s’mi ka shfaqur mua. Dyshimet më të mëdha te Danieli i kam. Ndoshta gaboj, i kërkoj falje, por duke parë disa versione që më kanë thënë të tjerët… Klement ka ardhur prej 1 viti, e kanë ekstraduar nga Zvicra. Ka qenë në Francë njëherë dhe pastaj në Lozanë të Zvicrës. Kam frikë se mos ma ka implikuar dikush në ndonjë problem. Sipas versionit që i kanë dhënë policisë disa bashkëfshatarët tanë, thonë që ka pasur probleme droge. Danjieli është parë me armë. Kurse për djalin tim dhe Vilsonin nuk dihet asgjë. Këto janë vetëm thënie dhe ndoshta mund të jenë edhe një hamendje.
Mamaja: Unë isha në shtëpi dhe djali ishte në shtëpi. Me një xhup me mëngë të shkurtra u nis për në qendër. Tha po dal të pi një kafe dhe po vij. Edhe atëherë unë nuk e kam parë më.
Ne nuk dinim gjë vetëm kur na ka ardhur policia në 03:00 të natës. Kur dalim, thonë ku është Keli? Atë natë s’kishim as drita, i them Keli është duke fjetur. Kur kqyr, nuk ishte aty djali. Na morën në rajon të policisë.
Emisioni Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus, ka mundur të sigurojë një version që hedh dritë se çfarë ka ndodhur mes tre kushërinjve ditën e shtunë.
Sipas versionit që ka siguruar emisioni Uniko, Klement Pepaj dhe Vilson Çutaj kishin mbjellë dy parcela me hashash me rreth 50 kg kanabis. Ata dyshuan se kjo sasi u është vjedhur nga Danjel Pepaj, kushëri i tyre. Për të zbuluar të vërtetën, ata thërrasin Danjelin dhe e takojnë në një lokal në qendër të Bajzës mesditën e 3 Tetorit. Dëshmitarët thonë se Danjeli ka mohuar që të ishte ai personi që të kishte vjedhur, por pas presionit të vazhdueshëm ndaj tij, ka pranuar se është në dijeni se kush e ka marrë. Ai u ka premtuar kthimin e 7 kg. Tre personat e zhdukur dhe vëllai i Vilsonit nisen drejt fshatit Vrith me një Benz në pronësi të Vilsonit që tashmë është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Danjeli ka vajtur në shtëpinë e tij me justifikimin se do të merrte një xhup, dhe pasi është kthyer, është nisur me dy personat, Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj, drejt zonës së Zagorës ku pretendonte se ishte fshehur droga. Ndërsa vëllai i Vilsonit i priste në makinë në qendër të fshatit. Pas rreth 2 orësh humbje kontakti dhe përpjekjesh të vazhdueshme për të gjetur të afërmit e tij, vëllai i Vilson Çutajt ka njoftuar policinë. Mbetet ende mister fati i 3 personave, ndërsa familjarët kanë frikë se Vilsoni dhe Klementi të jenë vrarë nga Danjeli që është larguar për të humbur gjurmët.
Uniformat blu dhe banorë të zonës kanë dalë në terren dhe po vijojnë kërkimet për gjetjet e tre djemve. / Tv Klan