Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit shpalli të shkarkuar nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë Neritan Cena pasi shpjegimet e këtij të fundit në seancën dëgjimore javën e kaluar mbi disa transaksione të dyshimta me prona dhe makina. Por shpjegimet nuk bindën trupën gjykuese që përbëhej nga Roland Ilia, Firdes Shuli dhe Etleda Çiftja, që vendosën për shkarkimin.
Cena rezulton pronar i një apartamenti në Tiranë i blerë nga babai pjesërisht nëpërmjet një huaje nga kunata, si dhe dy prona të blera në Bremen të Gjermanisë për të cilat janë përdorur mes të tjerash disa dhurata në cash nga persona të lidhur si babai apo motra.
Cena rezultoi gjithashtu se në dy raste ka arritur të shesë automjete me çmime më të larta nga çmimi i blerjes. Në një rast, një automjet ML është blerë nga Cena për 14 mijë euro nga djali i xhaxhait të tij, i cili e kishte blerë po atë ditë për 20 mijë euro. Dhe disa muaj më vonë, automjeti është shitur sërish 20 mijë euro, një seri transaksionesh për të cilat Cena dështoi të bindë trupën gjykuese se ishin të sinqerta.
Cena pati filluar punë në sistemin e drejtësisë në vitin 2005 dhe ka punuar në Laç e Vlorë para se të transferohej në Tiranë në vitin 2010.