Nga vajza më e dashur e botës në “burg” kujdestarie: Historia tronditëse Britney Spears
Në fillimet e saj, ajo konsiderohej si “vajza e artë”.
Ishte aq e dashur, sa gjithë adoleshentët e adhuronin, ndërsa prindërit do të donin që fëmijët e tyre të ishin pikërisht si ajo.
Por, jeta dhe karriera e Britney Spears pësoi një devijim tronditës.
Fama e madhe në një moshë të re, duket se e shkatërroi. Ajo kaloi në depresion dhe arriti deri aty, sa tentoi të vriste veten.
Sot, 38 vjeç, Britney është e “burgosura” e babait të saj, dhe për këtë arsye, në rrjet ka nisur një fushatë #FreeBritney.
Lëvizjes i janë bashkuar më shumë se 500 mijë fansa, të cilët janë të shqetësuar për fatin e saj. E gjithë kjo, pas kërkesës së këngëtares së njohur, që t’i hiqet kujdestaria.
Pasi përfundoi në spitalin psikiatrik, në vitin 2008 dhe pas përpjekjeve për të vrarë veten, duke qenë se ajo nuk ishte e aftë të kujdesej për veten, gjykata vendosi që gjithë pasuria dhe çdi veprim i saj, të menaxhohej nga i ati.
Sot pasuria e Spears vlerësohet të jetë 45 mln euro, por për çdo veprim, ajo është e varur nga i ati, i cili i jep një tarifë të caktuar për të shpenzuar.
Kjo, pasi sipas vendimit të gjykatës, ajo është e paaftë të marrë vendime financiar vetë.
Deri në gusht gjithçka ishte ok, por duket se tani Britney e ka humbur durimin dhe kërkon t’i hiqet kujdestaria, pasi edhe për një filxhan kafe apo një pako çamçakëz, ajo është e varur nga i ati për t’i blerë.
Jeta e Britney ka qenë një dramë e vërtetë dhe është shembulli më i mirë se si fama mund të të shkatërrojë.
Ajo është nëna e dy djemve, por nuk mund të jetojë me ta, pasi e humbi kujdestarinë e tyre, për shkak se u shpall e paaftë për t’i rritur.
Britney i takon herë pas here, por ata jetojnë me ish-bashkëshortin e saj. Përveç tentativave për vetëvrasje, Britney ka qenë në luftë edhe me alkoolin dhe drogërat.
Por, ka pasur aludime se ajo ka qenë edhe e varur nga seksi.
Badigardë të saj, kanë pretenduar se ajo ka abuzuar dhe i ka shfrytëzuar ata për seks.
Nuk dihet se si do të jetë fundi i kësaj historie, por kur sheh se si ka përfunduar “vajza e artë” e viteve ’90, të shkakton veç trishtim.