Kryesore Agimi i Artë shpallet organizatë kriminale

Agimi i Artë shpallet organizatë kriminale

Prindërit reperit Pavlos Fyssas që u vra nga mbështetësit e Agimit të Artë në 2013

Agimi i Artë është zyrtarisht një organizatë kriminale në Greqi. Në një vendim historik, Gjykata e Apelit shpalli fajtorë 7 prej pjesëtarëve të saj, për drejtimin e organizatës kriminale, ndërsa 18 të akuzuar, mes të cilëve politikanë dhe anëtarë, u fajësuan për bashkimin me lëvizjen neofashiste.

Shpallja fajtor e 7 anëtarëve për drejtimin e organizatës kriminale e bën mundësinë e burgosjes së tyre shumë reale.

Më herët, në vendimin e saj të parë, gjykata shpalli fajtor për vrasjen e reperit Pavlos Fyssas, Giorgos Roupakias, ndërsa 15 prej të akuzuarve të tjerë u fajësuan për konspiracion lidhur me rastin.

Forca të shtuara policore, rreth 1500 sipas mediave greke, rrethuan gjykatën në Athinë ditën e mërkurë, ndërsa ishin paralajmëruar protesta nga grupe antifashiste e gjithashtu pjesëtarë të partive politike.

Përleshje u shënuan mes manifestuesve dhe forcave të rendit.

Procesi gjyqësor kundër Agimit të Artë zgjati 5 vjet mes zvarritjeve të shumta dhe dhjetëra dëshmive.

Irini Fyssa, motra e Pavlos Fyssas pas vendimit të gjyqit

Policia greke arrestoi liderin dhe pjesëtarët e grupit, pas vrasjes me thikë të reperit antifashist Pavlos Fyssas nga një mbështetës i partisë në vitin 2013. Ngjarja nxiti protesta të mëdha rreth vendit. Kreu i Agimit të Artë, Nikos Mihaloliakos, bashkë me ligjvënës të tjerë u liruan nga burgu në 2015-tën.

Nderi i humbur i policisë greke

Besimi i njerëzve në Greqi te gjykatat nuk është i pakufi. Edhe më pak qytetarët i besojnë policisë, e cila lejoi grupet sulmuese të Agimit të Artë të bënin ç’të donin, derisa u vra Pavlos Fyssas. I paharruar mbetet fakti, që forcat e sigurisë nuk ndërhynë, kur “pesëdhjetë vetë me shkopinj goditës shkuan në drejtim të lokalit Coralli” (sipas radios së policisë).

Atje Georgios Roupakias, anëtar i organit drejtues pesëanëtarësh të Agimit të Artë në qytetin Nikaia, goditi tri herë me thikë, ndërsa neonazistët e tjerë e mbanin viktimën në tokë. Policia arriti në vendin e ngjarjes shumë vonë dhe arrestoi Roupakias, vetëm sepse Fyssas, që po vdiste, mundi të identifikonte vrasësin e tij. Të tjerët u lejuan nga policët të largoheshin nga vendi i krimit. Domethënëse është ajo që Roupakias i tha policisë, kur u arrestua: “Unë jam një prej jush. Unë jam nga Agimi i Artë”.

Një krim i tepërt

Me sa duket, duhej të vdiste Fyssas, një shtetas grek, para se autoritetet të merrnin masa kundër sulmuesve të Agimit të Artë. Për sa kohë që neonazistët terrorizonin emigrantët, policia nuk ndërhyri. Madje edhe mediat tregonin simpati për sulmuesit ekstremistë të djathtë. Krerët e Agimit të Artë ftoheshin në televizion, sikur organizata e tyre të ishte një parti krejtësisht normale.

Ndërkohë Agimi i Artë është politikisht i parëndësishëm – edhe për shkak të procesit gjyqësor. Ai nuk është më i përfaqësuar në parlament dhe rrjedhimisht nuk merr më asnjë fond shtetëror. Banditët më të famshëm i kanë kthyer shpinën “udhëheqësit” Michaloliakos dhe kanë themeluar organizatat e tyre. Shumica e analistëve politikë në Greqi nuk mendojnë që ekstremistët e djathtë do të forcohen përsëri – por pozicionet e tyre janë ende të prezente.