Partia Demokratike ka kallëzuar sërish për shpifje, për herë të dytë brenda javës, kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Sipas selisë blu, Veliaj ka nisur një fushatë denigruese për të dëmtuar imazhin e kreut të opozitës.
Nga sa mësohet, padia ndaj kryebashkiakut Veliaj ka ardhur për shkak të deklaratave të tij se kreu i PD, Lulzim Basha, mori një makinë 130 mijë euro nga një prej kontraktorëve për të lënë protestën tek Astiri.
Për këto akuza, kërkohet nga gjykata dënimi i Erion Veliajt, për shpifje, me qëllim dëmtimin e imazhit të kreut të PD dhe përfitimin në zgjedhjet e ardhshme.
“Këto të pavërteta janë bërë me qëllim dëmtimin e reputacionit dhe dëmtimin e imazhit në mënyrë të qëllimshme, duke qenë se Lulzim Basha është Kryetar i PD në opozitë dhe Erion Veliaj, si drejtues i fushatës zgjedhore të PS për qarkun e Tiranës, këto deklarime shpifëse i përdor për të përfituar kredo politike përballë qytetarëve, si për vete dhe për PS”, thuhet në padi.