Aktualitet INTERVISTA/ John Alite: Unë, mafiozi shqiptar që rrëzova familjen e fundit të...

INTERVISTA/ John Alite: Unë, mafiozi shqiptar që rrëzova familjen e fundit të Cosa Nostra-s

John Eduard Alite alias “Johnny Alletto” ka lindur në shtator të vitit 1962. Alite është një mafioz amerikan nga Nju York-u, me origjinë shqiptare. Bashkëpunëtor i ngushtë dhe i konsideruar “krahu i djathtë” i familjes mafioze Gambino dhe padrinos së saj, John Angeli Gotti-t në vitet 1980-1990 dhe deri në fillim të dekadës së parë të shekullit 21. Në vitin 2003, mafiozi amerikano-shqiptar John Alite mësoi se ishte në shënjestër për ta vrarë, dhe largohet në fshehtësi nga Amerika drejt Europës, duke lëvizur në njëzet vende europiane, përfshi këtu edhe vendin e origjinës, Shqipërinë. Më pas nga Europa, John Alite lëvizi në Amerikën e Jugut. Ndërkohë, John Alite shpallet në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, si një nga “most wanted”. Gjatë kohës që Alite jetonte dhe rrinte i fshehur në Brazil, zbulohet, dhe me një urdhër-arrest nga Interpoli, arrestohet për llogari të autoriteteve federale amerikane. John Alite kaloi dy vjet në burgjet braziliane dhe në vitin 2006 ekstradohet në SHBA. Në vitin 2011, John Alite u dënua me 10 vjet burg, për akuzat si pjesëmarrës në një mori krimesh, sikundër: vrasje, vënie gjobash, drogë, vjedhje dhe fshehje të krimeve. Gjatë viteve në burg John Alite bashkëpunoi me autoritetet federale amerikane, duke dëshmuar para tyre kundër familjes mafioze Gambino, Gotti-t, Charles Carneglia dhe kundër ish-bashkëpunëtorëve të tij, dëshmi që tronditën thellë Perandorinë e Krimit të familjes mafioze Gambino, të fundmit e Cosa Nostra-s. Alite lirohet nga burgu me kusht, me statusin e të penduarit dhe me statusin e mbrojtjes së dëshmitarit, duke mos i bërë kështu dhjetë vitet burg, që ai u dënua fillimisht. Këtë vit shtëpia botuese amerikane Harper Callins, nxorri nga botimi librin bestseller, “Gotti’s Rule”, (Rregullat e Gotti-t). John Alite është personazhi qendror i këtij libri, libër i bazuar mbi historinë e vërtetë kriminale të mafiozit amerikano-shqiptar, John Alite-s, me prova e fakte të dokumentuara sipas rrëfenjave të vetë shqiptarit. “Gotti-s Rules” është shkruar nga gazetari investigativ amerikan dhe fitues i disa çmimeve në gazetarinë investigative, George Anastasia. Libri mori atë titull nga 12 rregullat dhe protokollet e familjes mafioze Gambino, që Gambino-t supozohej se ju qëndronin strikt për të jetuar, si një familje me famë, popullaritet dhe ndershmërisht, por rregulla që kurrë nuk i zbatuan. Sipas autorit të librit, George Anastasia, shqiptari John Alite nuk dëshiron në asnjë mënyrë ta përdorë librin për hakmarrje apo kundërpërgjigje ndaj John Gotti Jr. (i riu), i cili bëri të njëjtën gjë, që sapo mori vesh se John Alite po shkruante historinë e jetës së tij dhe të tyre, reagoi, duke shkruar edhe ai librin rreth bëmave të tij dhe të babait, John Angelo Gotti Sr. (i vjetri), famës, ndershmërisë të familjes Gambino dhe të mafiozëve të tjerë. Ndërsa John Alite në libër është forca lëvizëse, i sinqertë, flet ndershmërisht dhe me mendje të hapur, te libri i John Gotti Jr., ka shumë arrogancë, kryeneçësi, hipokrizi dhe tradhëti në nivelin e njerëzve të rrugës. Do të ishte pikërisht kjo lloj arrogance, që e motivoi shqiptarin John Alite t’i rrëfehet gazetarit investigativ George Anastasia për gati tre muaj, përmes bisedave dhe takimeve. Rrëfimet e mob-it shqiptar për bëmat mafioze të tij, të Gambino-ve, ngritjen e tyre në hierarkinë e krimit mafioz, ngjallën një përshtypje të jashtëzakonshme për autorin Anastasia, respekt dhe admirim ndaj personalitetit të John Alite-s. Autori George Anastasia pasqyron ngritjen e John Gotti Jr., në krye të familjes mafioze Gambino, përmes rrëfimit të Alite-s. “Unë u përpoqa t’jua bëja të qartë që ky është version i Alite-s, se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Do të jenë lexuesit ata që do ta vlerësojnë. Kjo është e tëra ajo që ndodhi. Një nga provat e dokumentuara në libër është një kopje e FBI-së, me numër 302 që në vitin 2005, duke treguar se Gotti tentoi të bëjë marrëveshje me autoritetet federale. Ndonëse marrëveshja kurrë nuk u konkretizua, gjykimi final i Gotti-t e nxorri atë të pandryshuar e të pavlefshëm”, u shpreh autori i librit në një konferencë shtypi.

Por, kush është mafiozi shqiptar John Alite dhe si u përball ai me botën e krimit.

Që në adoleshencën e hershme, John Alite njihet dhe zë miqësi me familjen e famshme mafioze Lucchese. Përmes prindërve të të dashurës së tij, Alite zuri miqësi të ngushtë me djalin e mobi-t Jimmy Burke-s së famshëm, legjenda Lucchese, që së bashku me disa mafiozë të tjerë bënë vjedhjen më spektakolare të shekullit në aeroportin J.F.Kennedy, në vitin 1978: vjedhjen e Thesarit, flori e diamante, në avionin Lufthansa. Kjo ngjarje e bujshme është bërë edhe film, kur rolin e Burkes së famshëm e luan Robert De Niro. Kishte kaq shumë gangsterë dhe mafiozë rreth e rrotull John Alite-s, kudo në lagjen Queens dhe të gjithë këta ndikuan në personalitetin e tij, dhe shumë shpejt u bë pjesë e tyre. Shqiptari John Alite nuk është një gangster i sajuar, por është gjithçka që ai arriti të fitonte zemrën e mafiozëve më të mëdhenj e të famshëm, falë aftësive dhe inteligjencës së tij. Me një modesti në të shprehur dhe të qeshurën prej babaxhani, krenar përtej krenarisë për origjinën e tij shqiptare, këtë e tregojnë krahët dhe trupi i tij, që është i mbuluar nga tatuazhet e shumta me flamuj shqiptarë, me shqiponjën dhe Skënderbeun. Ndjenjat e tij të shqiptarisë i ka trashëguar edhe te dy djemtë e tij. Fjala më e preferuar dhe e dashur e tij në shqip është fjala “SHQIPE”. Bashkëkombasit e tij shqiptarë i thërret vetëm me fjalën: Shqipe! Në këtë bisedë, që unë pata privilegjin të bëj me John Aliten, i cili në çdo përgjigje më thërriste, “Shqipe”, ai rrëfen rrënjët e tij shqiptare, historinë e jetës së tij, si u përfshi në botën e krimit, që nga një fëmijë mjaft i pafajshëm në një zbatues rigoroz i rregullave të Gotti-t dhe duke u shndërruar në një njeri i pamëshirshëm në një mori krimesh mafioze. John Alite tregon pse libri “Gotti-s Rules”, -Rregullat e Gotti-t tronditi themelet e perandorisë mafioze Gambino, të fundmit e Cosa Nostra-s, perandori e ngritur mbi vrasjet, tradhëtitë dhe luftës për territorin e drogës. Kjo është historia e mobi-t shqiptar John Alite që tronditi themelet e mafias më të rrezikshme në botë. John Alite nuk nguron të tregojë disa gjëra edhe për mafian shqiptare në Amerikë, dhe se si ajo po forcohet nga dita në ditë, dhe jo vetëm e ka dobësuar dhe sfiduar mafian italiane, por pothuajse e ka bërë inekzistente, e ka nxjerrë atë jashtë loje. Gjithashtu John Alite shpreh gatishmërinë dhe dëshirën të bashkëpunojë me producentë, aktorë shqiptarë për ta bërë film historinë e jetës së tij. Ka në dorëshkrim librin e tytë “On the run” (Në arrati). Mafiozi shqiptar në fund të bisedës jep një këshillë, në kuptimin që “këto që bëra unë, mos i bëni ju Shqipe!” Për më shumë qëndroni në shoqërinë e kësaj bisede.

Bisedoi: Raimonda Moisiu

Ju faleminderit shumë për përkushtimin tuaj në këtë rrëfim ekskluziv me shtypin shqiptar, përkatësisht me gazetën “Tirana Observer”. Çfarëdo të dëshironit fillimisht të dinë shqiptarët për ju personalisht? Kush është z. John Alite?

Unë jam një shqiptar shumë krenar, i cili kurrë nuk e ka harruar dhe kurrë nuk do ta harrojë vendin tim /tonë, dhe rrënjët e mija shqiptare nga ku unë dhe familja ime vijmë. Ne shqiptarët jemi të edukuar dhe ushqyer me dashurinë për atdheun, familjen dhe kujdesin për ardhmërinë, fëmijët tanë. Unë e dua dhe jam besnike i devotshëm ndaj popullit tim/tonë shqiptar dhe shqipet janë gjithmonë në zemrën time. Unë jam dikushi, që dëshiron shumë sinqerisht, që edhe komuniteti ynë shqiptar të jetë krenar për atë, se cili jam unë, për veprimet e mija, po ashtu edhe për përpjekjet e mija në të ardhmen.

Në lidhje me rrënjët tuaja shqiptare, çfarë dëshironi të na thoni për familjen tuaj?

Unë kam lindur dhe jam rritur në një familje tipike tradicionale të madhe shqiptare. Ne kemi jetuar në një shtëpi trekatëshe me të gjithë të afërmit tanë, gjyshërit, xhaxhai dhe kushërinjtë,etj. Familja ime është me origjinë nga Tirana dhe Gjirokastra. Gjyshi im, Ali ka lindur dhe është rritur në Gjirokastër. Emigroi në Amerikë në vitin 1938 dhe emrin nga Ali e ndryshoi në Jimmy. Mbas shtatë vjetëve gjyshi im tërheq gjyshen së bashku me babain tim, Muhametin, i cili edhe ai ka lindur në Gjirokastër. Kur babai erdhi në Amerikë e ndryshoi emrin nga Muhamet në Mathew. Familja e gjyshit tim ka pasur shumë miqësi me familjen e Enver Hoxhës, dhe gjatë regjimit komunist ne kishim akses të plotë të hynim në Shqipëri dhe të dilnim, lirshëm. Xhaxhai im Hulusi Kavo ka shkruar për një kohë në gazetën Iliria të shqipeve në Amerikë, si korrespondent i saj. Unë personalisht dhe familja, fëmijët e mi, ende vazhdojmë të mbajmë lidhje me të afërmit tanë në Shqipëri. Dëshiroj të përmend në mënyrë të veçantë kushëririn tim Endritin, i cili më qëndron shumë pranë dhe komunikojmë gati çdo ditë, na mban të informuar për të gjithë njerëzit tanë atje.

Kohët e fundit, një nga shkrimtarët më të mirë amerikanë, George Anastasia botoi librin “Rregullat e Gotti-i”, (Gotti’s Rules), një libër i bazuar në historinë e vërtetë të jetës tuaj. Kur ju filluat sëpari, të çoni nëpër mend të rrëfeni historinë e jetës tuaj, dhe aq më tepër të shkruhet në një libër? Kush ju nxiti dhe inkurajoi ju në lidhje me atë?

Kur isha dhe vuaja dënimin në një burg në Brazil, në lajmet e televizionit dëgjova që John Gotti Jr.(i riu) dhe Truchio po rrëfenin gënjeshtra, në lidhje me mua dhe bashkëpunimin tim me autoritetet federale amerikane. Ato nuk ishin fjalë të vërteta, por gënjeshtrat e tyre. Unë disponoj prova të dokumentuara e të pakundërshtueshme, të cilat provojnë të kundërtën e atyre që kanë thanë John Gotti Jr. dhe Truchio, dhe pikërisht për të provuar atë të vërtetën e madhe, unë u motivova dhe vendosa të rrëfehem. Të gjitha ato fakte ne i pasqyruam në libër. Duke i shkruar e dokumentuar në libër, dëshiroja që vendi im të më njohë, ai që në të vërtetë kam qenë, dhe të njohë besnikërinë time, kur John Gotti Jr dhe Truchio nuk e bënë kurrë atë. Ata më fajësonin mua për gjithçka dhe kuptova se ishin pikërisht ata që po më vinin gurë nën rrota, duke ma punuar pas shpinë dhe flakur në rrugë, duke thënë se: “Hë mo, se ishte Alite, ai shqiptari, ai ishte vrasësi!” Por, shqipeve nuk jua hedh askush!

Thuhet, nga ata që e kanë lexuar librin “Gotti’s Rules”-“Rregullat e Gotti-t”, dëshmon më së miri se është një histori e vërtetë. A është ky libër i bazuar në fakte të vërteta e të dokumentuara? Kush ju prezantoi apo si hytë ju në lidhje me krimin e organizuar?

Avokatët, miqtë e mi të vërtetë e të besës, më inkurajuan mua për të vënë drejtësinë në vend, duke treguar të vërtetën me shkrime. Sigurisht libri është i bazuar në fakte të vërteta e të dokumentuara. Familja ime dhe lagjja ime ku unë jetoja në të vërtetë më përfshinë mua në botën e krimit të organizuar. Kishte kaq shumë gangsta, mobs dhe mafiozë rreth e rrotull meje, kudo në lagjen time. Babai im kurrë nuk ka qenë i përfshirë direkt, ndërsa xhaxhai im nga ana tjetër ishte i përfshirë me krimin. Të gjithë këta ndikuan në personalitetin tim, që edhe unë të bëhesha shumë shpejt pjesë e tyre.

Ç’mund të na thoni, si ka filluar miqësia tuaj me Gambino-t, një prej familjeve më të njohura kriminale në SHBA-ës, padrinot, të cilësuar tashmë si të fundmit e Cosa Nostra-s?

Miqësia ime me Gambino-t, nisi përmes sportit, ne luanim bashkë bejsboll dhe boks, por edhe nëpërmjet familjes Ruggiano, të cilët ishin miqtë tanë të përbashkët. Veçmas me Albert Ruggiano, për të cilin unë ende ruaj një respekt e admirim të veçantë për të. Babai i tij ishte bosi i lagjes tonë, pra kishte nën kontroll tërë territorin dhe të marrëdhënieve mes fqinjësisë, ku ne jetonim. Kështu që nuk më mori shumë kohë që unë të miqësohesha me ta, derisa ne filluam edhe të bashkëpunonim me njëri tjetrin më tej në krime.

A mendoni se miqësia dhe bashkëpunimi me Gambino-t ndryshoi jetën tuaj përgjithmonë? Kur keni filluar ekzakt të punoni për Gotti-in?

Definitivisht, miqësia ime me Gambino-t ndryshoi jetën time; nga të qenit një fëmijë mjaft i pafajshëm në një zbatues rigoroz i rregullave të Gotti-t dhe në një njeri i pamëshirshëm në një mori krimesh. Jeta ime nuk ishte më e njëjtë si më parë, gjithçka filloi që në vitin 1982.

Kush ishte Gotti? Cilat ishin rregullat e Gotti-t?

Gotti ishte një mobster, padrino krimi që u bë mjaft i njohur, kur njerëzit e tij qëlluan Paul Castellano. John Gotti Sr (i vjetri) ishte aty, por nuk qëlloi. Rregullat e Gotti-t ishin rregulla që John Gotti Sr.(i vjetri) kurrë nuk i zbatoi, por ishin të tjerët ata që i zbatonin ato. Unë kam qëlluar apo zbrazur armën me dhjetëra herë për të, dhe nuk mbaj mend dhe nuk më kujtohet që ai të ketë qëlluar ndonjëherë. Por ai bëri atë që njerëzit ta besojnë se ai bënte të njëjtën gjë që bënin të tjerët, kur ai në të vërtetë nuk ishte.

A ju kujtohet punën e parë që ju bëtë për Gotti-n, të fitonit besimin e tij dhe cilat ishin rrethanat që ju u bëtë pjesë e aktivitetit kriminal të Gambinove?

Nuk mbaj mend detyrën time të parë, por unë kujtoj shumë mirë kur kam qëlluar me armë për herë të parë. Kjo ndodhi më 1982. Ne qëlluam tre xhamajkanë, pasi ata kishin grabitur agjentin që shpërndante drogën, për llogari të John Gotti-t. Gotti Jr. ishte aty në një makinë tjetër mbas nesh, por ai iku sapo të shtënat filluan.

Ishte kjo e pazakontë për dikë, si Gotti Jr, që shfaqte këto veçori të personalitetit?

Sikundër edhe ju e dini, ne shqiptarët jemi parimorë dhe jetojmë në bazë të principeve; të besës, besnikërisë dhe ju përmbahemi rregullave tona. Ndryshe nga Gotti, ne jemi krenarë. Për fat të keq, ne ndikohemi shumë edhe nga dhuna që na rrethon, që ne nuk i druhemi kurrë, nuk zbythemi, por i përgjigjemi me të njëjtën monedhë, përballemi me të dhe qëndrojmë si burrat!

A jeni në dijeni të reagimeve të ashpra të Gotti Jr. (i riu) për ju dhe librin tuaj, “Gotti’s Rules”(Rregullat e Gotti-t)? Çfarë mendoni për to dhe çfarë do të dëshironi t’i thoni atij sot?

Sigurisht, që kam dëgjuar. Në shqip ne kemi një shprehje për gratë që flasin shumë: grua llafazane. Mendoj se kështu është edhe Gotti Jr.(i riu), një grua llafazane, një fëmijë i llastuar, i cili ka qenë i fshehur nën hijen time, ka përfituar dhe mbijetuar nën hijen time, në sajë të forcës e fuqisë sime, të sinqeritetit dhe besnikërisë sime, të trurit dhe inteligjencës sime, megjithëse edhe Gotti Sr.(i vjetri) bëri të njëjtën gjë me mua dhe të tjerët. Statusi i tij është një përrallë zanash, është i pakuptimtë. Ai kurrë nuk do të mundet ta bëjë këtë me ne shqiptarët, ne shqiptarëve nuk na i hedh do, për punë të tilla, ne i bëjmë vetë ato. Gambinot kurrë nuk kanë qenë në gjendje t’i bëjnë punët e pista vetë!

John Alite, do të doja t’ ju pyes: A kanë rekrutuar Gambino-t, shqiptarë të tjerë si korrierë dhe transportues droge, në një mori krimesh, në mënyrë të konsiderueshme vrasës me pagesë si rezultat i aftësive të tyre?

John Gotti Sr. (i vjetri) krenohej dhe mburrej me mua dhe një tjetër djalë shqiptar, që na kishte rekrutuar si vrasës. Ndërsa Gotti Sr.(i vjetri) mburrej me bëmat time, dhe më mbante si roje personale të tij, edhe Gotti Jr.(i riu) bënte të njëjtën gjë, fshihej pas meje dhe më përdorte si i ati i tij. Frank Locascio gjithashtu nuk kishte asgjë, por ne shqiptarëve që qëndronim rreth tij, ai na ka trajtuar me respekt. Kryesisht Gambino-t kanë përdorur shqiptarët për dhunë, vrasje dhe një mori krimesh.

Sa vite burg keni bërë?

Para se të dënohesha me dhjetë vite burg, unë kam hyrë e dalë në burg me dhjetëra herë që nga dy muaj, tre muaj, tre vjet e gjysëm dhe një vit burg. Jam burgosur dhe dënuar për 35 akuza në total. Kam qenë në 30 burgje jashtë dhe brenda Amerikës, në Brazil kam qenë në katër burgje.

Shkrimtari George Anastasia, që ka shkruar historinë e jetës tuaj, a e ka menduar për ta shkruar skenar filmi? Në rast se po, çfarë mendoni ju për këtë?

Regjisorë dhe njerëz të kinematografisë janë të interesuar dhe më kanë kontaktuar, madje disa janë në negociata me avokatin tim. Por, unë do të dëshiroja shumë që ky film të jetë me producentë dhe aktorë shqiptarë, në rast se është e mundur. D.m.th. shqipet që unë i kam në zemër, dëshiroj të bëjnë një film bazuar në historinë e jetës sime.

Nëse kjo do të realizohet, si do të ndjeheni ju, përsa i përket “Rregullat Gotti-t”? Çfarë do të mendoni kur ju dhe të tjerët do ta shikoni atë?

Unë do të jem shumë krenar, që populli im shqiptar do të bindet dhe do të më vështrojë me syrin e të vërtetës të një shqiptari të vërtetë dhe jo të një italiani mafioz. Trupi im është i gjithi i tatuar me flamuj shqiptarë, dhe me fjalë të tilla si; Shqipe dhe Skënderbeu. Dy djemtë e mi dhe kushërinjtë kanë të njëjtat tatuazhe si unë.

A e keni vizituar Shqipërinë?

Kam vizituar Shqipërinë 3-4 herë, nga vitet, 2001-2003, dhe kam qëndruar në total 4 muaj.

A keni dijeni për mafian shqiptare, veçmas në Nju Jork? Ju lutem nëse keni ndonjë njohuri për historinë e mafias shqiptare, ç’mund të na thoni? Sa e vjetër është mafia shqiptare? A ekziston ajo në ditët e sotme?

Dikur në vitet ’60-’70, ka qenë një shqiptar i quajtur Like, që kontrollonte tregtinë e heroinës në tërë territorin e Manhatanit, në çdo skutë të tij. Shqiptarët gjithmonë nuk rrezikonin në rrugë. Ata vepronin në fshehtësi. Mbase ky qëndrim i shqiptarëve ka të bëjë edhe me të kaluarën e vendit tonë, dhe kulturën e të qenit shqiptar. Shqiptarët, çdo gjë e bëjnë në dijeni të vetes. Mafia shqiptare nuk ka qenë e organizuar si mafia italiane, por ajo është më e dhunshme dhe tejet e rrezikshme. Sigurisht, që mafia shqiptare ekziston në ditët e sotme. Ajo sa vjen dhe bëhet më e fortë dhe e fuqishme, ja ka kaluar mafias italiane, po e nxjerr atë jashtë loje.

Cilat janë ndjenjat tuaja për Shqipërinë dhe Kosovën?

Nuk ka rëndësi se ku ju keni lindur apo ku ju jetoni, gjaku shqiptar rrjedh në venat tona. Ne jemi një popull modest që përulemi me dinjitet e krenari, por kur na preket atdheu, nderi familja dhe gjithë të dashurit, përdorim dhunën si mjetin e fundit për të mbrojtur dashurinë, atdheun dhe gjithë të dashurit tanë, veçmas kur flitet për nderin e shqipeve, ne nuk të falim, të vrasim. Unë dua ta shoh Shqipërinë e Kosovën të bashkuar! Shqipja është një gjak, një atdhe!

Çfarë dëshironi të shtoni në fund të kësaj interviste?

Tani për tani së bashku me editorët e mi, jemi duke punuar për një libër tjetër, që shpresojmë ta titullojmë, “On the Run”, (“Në arrati”). Në atë libër kam vendosur intervistat e shumta që unë kam dhënë në TV, bisedat në Mob Shoe, dhe në revista. Dikur kam bërë edhe një dokumentar me ITV, i cili ka qenë një sukses i madh në Australi dhe Britaninë e Madhe. Kam qenë edhe në kryeartikullin e titulluar “Cold Blooded” (“Me gjakftohtësi”) në 28 faqe të një reviste në Amsterdam. Ju kërkua Gambino-ve edhe Gotti-t të kontribuonte, por ai refuzoi. Sapo jam kthyer nga një Talk Show që u dha në Mob Museum në Las Vegas, ku isha i ftuar të flisja për historinë e mafias dhe historinë e një “Gangsta Albanian”, mafiozi shqiptar, që tronditi themelet e mafias dhe rrëzoi perandorinë e krimit Gambino, me një audiencë jashtëzakonisht të madhe në sallë dhe shikuesish jashtë saj. Aktualisht po bëj takime në komunitet me adoleshentët duke ju folur e këshilluar ata, si të sillen e të përballen me njerëzit e inkriminuar. Gjithashtu po merrem duke ju hedhur një sy edhe punëve e projekteve të mija në të ardhmen. Por ajo ç’ka mua më bën krenar edhe të lumtur, është kur unë marr mbështetjen e komunitetit tim shqiptar në SHBA, ku një prej tyre jeni edhe ju Raimonda Shqipe, nëpërmjet kësaj bisede. (Qesh)

Një mesazh për komunitetin shqiptaro-amerikan…

Më e rëndësishmja është të jemi krenarë që jemi shqiptarë, të jemi krenarë për kulturën tonë, identitetin tonë shqipe (shqiptar). Të përpiqemi të jetojmë sa më shumë në paqe e harmoni, dhe të bëhemi bashkë për të mbrojtur atdheun dhe të dashurit tanë. Të përpiqemi të gjithë së bashku të edukojmë brezin e ardhshëm, duke i këshilluar për t’i mbajtur larg drogës dhe krimit, të harrojmë zënkat dhe hasmëritë në emër të shqiptarisë, për një arsye të mirë; të mësojnë nga gabimet tona, me qëllim që të rrisim dhe edukojmë një brez të shëndetshëm mendërisht dhe të kulturuar. John Alite do të qëndrojë deri në fund të jetës së tij me Shqipet!

A do të vini në Shqipëri?

Sapo autoritetet federale amerikane të më lejojnë të udhëtoj jashtë Amerikës, frymën do e mbaj në vendin e shqipeve.

****

Kush është John Alite

Në një periudhë kohore 25-vjeçare të karrierës së tij si gangster, John Alite masakroi shumë njerëz, duke i goditur me thikë, duke i qëlluar me armë, duke i rrahur nëpër klube me shkopa bejsbolli etj. Ai nuk ndjehet aspak krenar për këtë, por as nuk dëshiron të fshihet prej tyre. Ashtu ishte e nuk donte të fshihej. Por nuk është më ashtu tani. Të paktën tani në vitin 2015, ai po përpiqet të rikthejë jetën e tij, nga një vrasës me pagesë dhe ish-pjessëtar i bandave kriminale po përpiqet të jetojë një jetë normale në moshën 55-vjeçare.

“Ndonjëherë pyes veten se çfarë ishin të gjitha këto që ndodhën,” thotë ai. Shumë njerëz e bëjnë këtë gjë. Përgjigja e thjeshtë është që ai gjithçka e bëri për para, për të jetuar mirë dhe për të rritur reputacionin e tij në familjen kriminale Gambino. Gjithçka e bëri nën urdhrat e John Gotti të Riut dhe ndonjëherë edhe me urdhërat e zotit John Gotti. Dy juri gjykatash federale në Nju Jork e dëgjuan atë të tregojë pjesë nga historia e tij. Njëra juri e dënoi, kurse tjetra e kishte të vështirë të vendoste. Vendimi i tij për të bashkëpunuar me qeverinë dhe vënia e tij në rolin e dëshmitarit ishte ngjarja që ndryshoi rrënjësisht jetën e tij, një zgjedhje që ai beson se do t’i rikthente jetën normale. Por historia që fshihet pas shtysës së tij për të dëshmuar është një shqyrtim interesant në botën amerikane të krimit, një histori e treguar nga një njeri rrugësh që u fut në botën e parasë, vrasjeve e tradhëtisë.

Përmes shpërndarjes së drogës, kumarit dhe operacioneve kriminale, Alite u bë një milioner. Si ai i humbi paratë dhe si e rifitoi respektin për veten është pjesë e historisë së tij. Pjesë e historisë së tij janë edhe tre vitet në arrati. Në vitin 2003, pasi mësoi se ishte vënë në shënjestër për t’u vrarë nga familja të cilës i kishte shërbyer, ai u largua. Udhëtimi i tij përfshinte 20 vende të ndryshme në Europë dhe Amerikë Jugu. Përfundimisht u vendos në Brazil, duke jetuar një jetë të mirë në plazhet e Kopakabanës derisa një urdhër arresti nga Interpoli ia prishi qetësinë.

Historia e John Alite është unike. Është një vështrim i brendshëm në botën e korruptuar e të pabesë të Mafias Amerikane të shekullit 21. Nëse doni nder dhe besnikëri, shikoni filmin Kumbari. Nëse doni realitet, flisni me John Alite.

Pasaporta e familjes “Gambino”

Familja kriminale Gambino është një nga “Pesë Familjet” që kontrollon aktivitete të krimit të organizuar përgjithësisht në New York City, SHBA, i njohur në mbarë vendin me një fenomen kriminal si Mafia (ose Cosa Nostra). Me bazë në New York City, operacionet e bandës u shtrinë përgjatë gjithë bregdetit lindor dhe anembanë vendit deri në Califonia. Aktivitetet e jashtëligjshme përfshijnë shfrytëzimin e punëtorëve, kumar, mashtrime të ndryshme, grabitje me dhunë, pastrim parash, prostitucion, vrasje me pagesë, thyerje të ligjet për hedhje të mbeturinave toksike, vjedhje të ndryshme.

E themeluar nga Vincenzo Mangano.

E emërtuar në sajë të Carlo Gombino-s.

Vitet aktive: 1931- deri në ditët e sotme.

Territoret: New York City dhe në zona si Staten Island, Long Island, Augusta, GA, New Jersey dhe Sunny Isles Beach, Florida dhe anembanë Amerikës.

Etnia: Italiane, anëtare italo-amerikane dhe kombësi të tjera si “bashkëpunëtorë”. Rreth 200-250 anëtarë dhe përafërsisht mbi 3000 bashkëpunëtorë.

Aktivitete kriminale: Grabitje me dhunë, mashtrime, pastrim parash, vrasje, trafikim droge, kumar, prostitucion dhe vjedhje makinash.

Aleatët: Familjet mafioze Genovese, Bonanno, Colombo dhe Luchese