Policia ka arritur të gjejë trupat e pajetë të Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj. Trupat e dy të rinjve, të cilët dyshohet se janë vrarë me armë zjarri, u gjetën në një pyll në fshatin Vrith. Gjetja e tyre shton edhe më shumë dyshimet se pas vrasjes qëndron kushëriri i tyre Danjel Pepaj, i cili vijon të mbetet i zhdukur.
Tre kushërinjtë Vilson Çutaj 37 vjeç, Klement Pepaj 21 vjeç dhe Danjel Pepaj 25 vjeç, rezultonin të zhdukur që prej mesditës së 3 tetorit në fshatin Bajzë të Malësisë së Madhe.
Ngjarja e rëndë dyshohet se ka lidhje me pazaret e drogës.
Prindërit e Klement Pepaj kanë shfaqur dyshime tek kushëriri i tyre, Danjel Pepaj, sepse sipas dëshmive të disa banorëve, ai është parë me armë dhe janë dëgjuar të shtëna.
Nga të dhënat e deritanishme, dyshohet se Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj akuzonin kushëririn e tyre Danjel Pepaj se u kishte vjedhur 50 kg kanabis. Për këtë arsye, ata u nisën me makinë drejt Zagorës, pasi Danjeli do t’u tregonte ku ishte fshehur kanabisi i vjedhur. Por pas 2 orësh, Olson Çutaj që po priste në makinë, vendosi të njoftonte policinë sepse nuk kishte më asnjë kontakt me të 3 personat.