Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka vlerësuar qëndrimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor në thirrje drejtuar magjistratëve për të aplikuar për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese.
“Shumë mirë që KLGJ (pas KLP) po vepron për të mbështetur sigurinë e karrierës për gjykatësit që kanë kaluar vetingun të cilët do aplikojnë në dy vendet vakante në GJK. Ne shpresojmë se kjo do të nxisë më shumë gjykatës që t’i përgjigjen thirrjes së detyrës. Shqipëria ka nevojë për ju”, shprehet diplomatja amerikane.
Gjykata Kushtetuese nuk është funksionale për shkak se të gjithë anëtarët e vjetër të saj ose nuk kanë kaluar dot vetingun ose janë tërhequr me vullnet të lirë nga detyra. Aktualisht trupa ka vetëm katër pjesëtarë nga nëntë që duhet të ketë.
Kjo gjë i pamundëson funksionalitetin, ndërsa për këtë arsye plotësimi i të pakën edhe dy vendeve vakante, është vendosur si prioritet për Shqipërinë edhe për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Këshilli i Lartë Gjyqësor u ka bërë sot thirrje gjyqtarëve që përmbushin kriteret formale ligjore dhe që kanë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar duke u konfirmuar në detyrë, të kandidojnë për pozicionet e lira për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.
“Këshilli, duke vlerësuar Gjykatën Kushtetuese si organin kryesor për garantimin e respektimit të parimeve të kontrollit dhe balancimit të pushteteve, sigurimin e kushtetutshmërisë në vendimmarrje dhe sundimin e ligjit në Republikën e Shqipërisë, inkurajon gjyqtarët me integritet dhe cilësi të larta etiko-profesionale të kandidojnë për pozicionet e lira për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, të shpallura nga Kuvendi dhe Presidenti i Republikës”, thuhet në komunikatën e KLGJ-së.
KLGJ vë theksin tek dispozitat e ligjit të posaçëm për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, ku gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, në përfundim të mandatit, i garantohet e drejta për t’u caktuar në një detyrë tjetër të barabartë ose të përafërt. Nga ana tjetër, KLGJ thotë se, do të vijojë komunikimin institucional me Ministrinë e Drejtësisë, duke i propozuar ushtrimin e nismës për ndryshime ligjore, që do të garantojë të gjitha aspektet e statusit të magjistratit.