Ish-deputeti italian z. Masimo Romagnoli ka qenë këtë fillim javë në Shqipëri ku ka kryer takime të ndryshme. Qëllimi i kësaj vizite kanë qenë fondet evropiane të destinuara për vendin tonë. Romagnoli e ka nisur listën e gjatë të takimeve në Vlorë ku u prit nga Kryetari i Këshillit të Qarkut Vlorë, Ervis Mocka në ambientet e këtij institucioni.
Arsyeja kryesore e vizitës ishte diskutimi mbi çështje që lidhen me shtetasit italianë që jetojnë në Shqipëri, si edhe mundësi bashkëpunimi në kuadër të programeve Interreg. Romagnoli tregoi mbi dëshirën e shumë italianëve që kanë zgjedhur Shqipërinë, më konkretisht jugun e Shqipërisë për pushime, por edhe për të jetuar.
Z. Mocka u përqendrua te ndryshimet e mëdha që janë bërë në Vlorë, sidomos vitet e fundit, duke u kthyer në një epiqendër interesi për turistët, posaçërisht për turistët dhe sipërmarrësit italiane. Duke qenë një përfaqësues i qeverisë italiane në Bruksel, edhe për çështje të zhvillimit të territorit përmes fondeve të BE-së, Romagnoli propozoi mundësitë që i jepen Shqipërisë në këtë drejtim duke bashkëpunuar me vendin fqinj.
Takimi i radhës u bë me Enver Roshin, Drejtor i shëndetit publik dhe Ramazan Gjurin kryetar i Komisionit të Arsimit. Romagnoli diskutoi me ta mundësinë që ka Shqipëria për përfitimin e fondeve të BE-së dhe problematikat që ka komuniteti italian që jeton në Shqipëri.
Romagnoli pati gjithashtu një takim në Universitetin Winston në Tiranë ku foli me pedagogë, studentë dhe përfaqësues të shoqërisë civile të cilët ishin shumë të interesuar si funksionon shpërndarja e fondeve të UE-së dhe cilat janë kriteret për të aplikuar.
Romagnoli ishte i ftuar në disa televizione kombëtare ku shpjegoi qëllimin e vizitës së tij dhe shprehu gatishmërinë për të shoqëruar entet publike, privatët apo të rinjtë për të prezantuar projektet e tyre pranë institucioneve evropiane.