Pas ekzekutimit të Bujar Çelës, më 17 Shtator, qëndron 37-vjeçari Nuredin Dumani. Policia e Elbasanit, nëpërmjet një njoftimi për shtyp tha këtë të premte se autori i dyshuar është shpallur në kërkim.
“Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për shtetasin N.D., 37 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Durrës, për veprat penale “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Bujar Çela, vëllai i të shumëkërkuarit Talo Çela u ekzekutua me armë zjarri në një lokal në Bradashesh të Elbasanit. Tre ishin personat që morën pjesë në këtë atentat dhe Dumani dyshohet se ishte në rolin e ekzekutorit.
Nuredin Dumani dhe Talo Çela janë së bashku të shpallur në kërkim me vendim të Gjykatës së Durrësit, si të përfshirë në vrasjen e drejtpërdrejt në vrasjen e dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në 27 Prill 2020, si dhe dy personave të tjerë në Shkozet të Durrësit, Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit më 2 Mars 2020, në të njëjtin vend, tek tregu i makinave.
Mbetet ende e paqartë edhe për grupin hetimor se cila ka qenë arsyeja që ka shtyrë shokun e Talo Çelës që t’i vriste të vëllain.
Policia thotë se vijon puna intensive për kapjen e autorit të shpallur në kërkim, si edhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.