Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur këtë të diel pyetjeve të qytetarëve për çështje të ndryshme.
Një ndër to ishte edhe ajo për biznesin e vogël se si mund t’i vihet në ndihmë pasi situata e koronavirusit do të vazhdojë dhe mund të përkeqësohet në të ardhmen.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se qeveria ka hequr të gjitha taksat, ndërkohë që po punon edhe për heqjen e kontrolleve tek këto biznese.
Megjithatë Rama e vuri theksin tek respektimi i masave antiCovid dhe tek vendosja e maskave edhe në ambiente të hapura nga e enjtja.
Kreu i ekzekutivit u shpreh se një mbyllje e dytë do të ishte e rëndë për të gjithë prandaj duhet zmbrapsur rreziku duke respektuar rregullat.
“Miku im taksat zero, TVSH zero, pagën e luftës e dhamë në atë moment kur ishit të mbyllur. Nuk e di se çfarë mund të bëjë akoma qeveria për ju ndërkohë që ju dhe të gjithë sëbashku kemi në dorë të bëjmë diçka të madhe që të respektojmë rregullat dhe të vendosim maskën që nga e enjtja do të jetë e detyrueshme në mënyrë që largqoftë të mos detyrohemi të mbyllemi përsëri. Për të mbrojtur tani këtë që kemi arritur duke zeruar plotësisht detyrimet tuaja ndaj shtetit, madje po punojmë për zerimin e të gjitha llojeve të kontrolleve që të mos keni asnjë shqetësim dhe të jeni njerëz të lirë në punën tuaj dhe gjithçka që fitoni ta çoni në shtëpinë tuaj është shumë e rëndësishme të zmbrapsim rrezikun e një infektimi masiv që mund të na çojë në një mbyllje sepse aty do të jetë shumë e rëndë jo vetëm për biznesin e vogël, por për të gjithë”, tha Rama.
Kryeministri foli edhe për amnistinë fiskale dhe se ky instrument do të jetë gati shumë shpejt.
“Për sa i përket për amnistisë fiskale jemi në proces, dhe po punojmë ngushtësisht me ekspertizë ndërkombëtare, me institucione financiare ndërkombëtare sepse jam i bindur që njerëzve si ti që janë dhjetëra mijëra që kanë kurimet e tyre nga jeta në emigracion dhe që për më tepër atyre që kthehen në Shqipëri, por edhe nëse s’kthehen duan t’i formalizojnë dhe t’i investojnë paratë e tyre në Shqipëri, duhet t’u japim mundësinë e amnistisë fiskale. durim sepse ti e di që punët e mirë duan kohën, mundin dhe durimin e domosdoshëm për t’i kryer. Ki besim se më shpejt se vonë edhe këtë instrument do ta kesh në dispozicion ti dhe të gjithë shqiptarët e mirë që përmes punës shkojnë përpara dhe bëjnë sukses të merituar”, tha Rama.
Kryeministri deklaroi se administrata publike tashmë është certifikuar nga KE-ja si sistem i besueshëm konkurrimi dhe meritokracie për ata që duan të hyjnë.