Aktualitet Atentati ndaj kreut të Policisë Bashkiake në Malësi, shpallet në kërkim 19-vjeçari

Atentati ndaj kreut të Policisë Bashkiake në Malësi, shpallet në kërkim 19-vjeçari

Policia e Shkodrës ka mundur të identifikojë personin që qëlloi me armë kreun e Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe, duke lënë të plagosur këtë të fundit dhe babain e tij.

Në kërkim është shpallur 19-vjeçari i quajtur Ilirjan Hasanaj, banues në lagjen “Tepe” të Shkodrës.

I riu i ka bërë pritë një ditë më parë dhe ka hapur zjarr ndaj makinës ku udhëtonte Mentor Hasanaj kreu i Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe, babai i tij Xhelal Hasanaj 74 vjeç dhe bashkëshortja Vjollca Hasanaj.

Mentor Hasanaj dhe Xhelal Hasanaj mbetën të plagosur, ndërsa bashkëshortja Vjollca për fat të mirë mundi t’u shpëtonte plumbave.

Pasditen e së dielës u gjet i hedhur në një kanal edhe motori i atentatorit, dhe aktualisht është i sekuestruar nga policia. Ky mjet ishte pa targa, ndërsa në zonë u gjetën dhe sekuestruan edhe një skafandër dhe sende të tjera që ishin përdorur nga autori i ngjarjes.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me ata të Malësisë së Madhe, vijojnë intensivisht punën për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Vrasja e më shumë se një personi” mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.