Një ekip shkencëtarësh ka identifikuar një mënyrë të re sipas të cilës po evoluojnë njerëzit. Kur bebet janë në barkun e nënës, një arterie që kalon poshtë parakrahut furnizon duart e tyre me gjak. Por menjëherë pas lindjes, arteria mediane e shumicës së njerëzve zbehet pasi dy të tjera zënë vendin e saj.
Një studim i botuar muajin e kaluar në “Journal of Anatomy” tregon se përqindja e njerëzve që mbajnë këtë arterie është rritur që prej të paktën shekullit të XVIII – dëshmi se speciet tona po vazhdojnë të zhvillojnë tipare të reja biologjike.
“Ky është mikro evolucion në njerëzit modernë dhe kjo arterie është një shembull i përsosur për atë se si ne jemi ende në proces evoluimi”, tha në një njoftim për shtyp autori i studimit, Maciej Henneberg, një specialist i anatomisë në Shkollën Mjekësore të Universitetit të Adelaidës, “sepse njerëzit e lindur kohët e fundit kanë një prevalencë më të lartë të kësaj arterieje kur krahasohet me njerëzit e brezave të mëparshëm”.
Bazuar në të dhënat ekzistuese dhe analizat e reja të kufomave, ekipi i Henneberg zbuloi se vetëm dhjetë përqind e njerëzve të lindur në vitet 1880 e kishin mbajtur këtë arterie, ndërsa 30 për qind e atyre të lindur në fund të shekullit të XX e kanë ruajtur. Në bazë të shifrave, ekipi konkludon se ky është niveli më i shpejtë me të cilin njerëzimi ka evoluar në 250 vitet e fundit.
Dhe nëse trendi vazhdon, njerëzit që do ta kenë këtë arterie do të bëhen normë më shumë sesa përjashtim. Kjo mund të sjellë komplikime mjekësore, pasi arteria në fjalë ka qenë e lidhur me raste të dhimbshme të sindromës së tunelit karpal.
“Kjo rritje mund të ketë ardhur si rezultat i mutacioneve të gjeneve të përfshira në zhvillimin e arteries mediane ose problemeve shëndetësore te nënat gjatë shtatzënisë, ose të dyja bashkë”, thotë Teghan Lucas, bashkautor në studim. “Nëse kjo tendencë vazhdon, shumica e njerëzve do të kenë arterie mediane të parakrahut deri në 2100.”