Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, iu është drejtuar me një mesazh qytetarëve lidhur me masat anti-Covid. Në një deklaratë për mediat, Veliu tha se duke filluar nga dita e enjte, çdo qytetar është i detyruar të mbajë maskën mbrojtëse që në momentin kur del prej shtëpisë së vet.
“Kjo masë është në përputhje me udhëzimet e dala nga autoritetet shëndetësore. Mbajtja e një maske në fytyrë ul në mënyrë të ndjeshme rrezikun e përhapjes së infektimit. Qëllimi kryesor është të mbrojmë popullatën nga rreziqet që paraqet virusi”, u shpreh ai.
Më tej ai u shpreh se Policia e Shtetit do të angazhohet me të gjitha kapacitetet e saj, në krah të strukturave të tjera, për të garantuar zbatimin e masave të caktuara nga autoritetet e Shëndetësisë.
“Patrullat policore do të monitorojnë në mënyrë rigoroze të gjithë ambientet dhe hapësirat publike ku nga e enjtja do të jetë detyrim mbajtja e maskës. Duke përfituar nga rasti ftoj qytetarët që, siç kanë dëshmuar më herët në masë të madhe vullnetin për bashkëpunim, të respektojnë masat dhe të mbështesin autoritetet policore në zbatimin e këtij detyrimi. Në çdo rast të konstatimit të shtetasve që u shmangen detyrimeve ligjore, Policia e Shtetit do të reagojë në përputhje me ligjin dhe detyrat e saj funksionale”, vijoi numri një i Policisë së Shtetit.
Ai tha se qëllimi i Policisë nuk është ndëshkimi i qytetarëve, por mbrojtja e jetës dhe shëndetit të tyre.