Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka akuzuar sërish kryeministrin Edi Rama se nuk po merren masat e duhura për të përballuar pandeminë e Covid-19.
Në një bashkëbisedim me gazetarët nga selia blu, Basha i bëri përsëri thirrje shefit të qeverisë që të zbatojë planin me 5 pika të opozitës.
“Dy javë me radhë, unë, ekspertët, dhe ju media e keni bërë këtë plan të ditur se çfarë propozon PD. I vetmi që vazhdon t’i bëjë bisht përgjegjësisë është njeriu që ka në dorë të ndihmojë njerëzit në nevojë.
Ditë për ditë t’i kërkojmë ‘Robert Çamçakëzit’ detyrat dhe përgjegjësitë që ka përpara shqiptarëve.
Edi Rama mosmarrjen e masave mundohet ta fshehë pas maskave. Arsyeja përse Edi Rama bën sikur nuk e ka dëgjuar planin tonë me 5 pika është rrjedhja e vazhdueshme e parave të buxhetit për skema korrupsioni”.
Teksa numri i të infektuarve është në rritje, Lulzim Basha ka zbuluar edhe planin, sipas tij, që ka kryeministri Rama.
“Është premtuar me zë dhe figurë paketa e tretë e ndihmës që në Qershor, përballeni me premtimin e tij të pambajtur. Është kriminale mënyra si sillet me shqiptarët, mjekët dhe infermierët. Po ju a them sot. Ky është plani, ta lërë të keqen të shkojë deri në fund dhe pastaj të nxjerrë paratë me pikatore. Ky është krim. Nuk ka asnjë minutë kohë për të humbur vendi është futur në qorrsokak drejt greminës, e vetmja mënyrë është të marrim masat që po marrin dhe vendet në rajon me efektivitet”, tha Basha.
Të dhënat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, Basha i konsideron të manipuluara, duke u shprehur se situata është me e rëndë se kaq.
“Kemi një numër rekord të infektuarish dje sipas shifrave zyrtare. Numri i infeksioneve është shumë më i madh se ky që raportohet. Asnjë reagim nga qeveria për lajmin se spitalet COVID 1 dhe 2 janë mbushur plotësisht. Prokuroria duhej të kishte filluar hetimet për mosveprimet e Edi Ramës dhe ministres së Shëndetësisë”.
Kryedemokrati kërkoi nga qeveria që të marrë masa si vendet e rajonit në përpjekje për të frenuar situatën e rëndë.