Ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Dendias do të vizitojë Shqipërinë.
Kryediplomati grek do të jetë në Tiranë për një vizitë zyrtare në datën 20 tetor.
Vizita e Dendias vjen pasi kryeministri Rama ishte në Athinë në një konference rajonale, të cilën e shfrytëzoi për disa takime edhe me drejtuesit më të lartë të qeverisë greke mes të cilave kryeministri Mitsotakis.
Rama diskutoi në takime jozyrtare për disa çështje mes të cilave edhe diskutimet e mbetura pezull mes dy vendeve për kufirin detar.
Në një intervistë që dha para pak ditësh në shtypin grek, Dendias kërkoi rinisjen sa më shpejt të bisedimeve me Shqipërinë për zgjidhjen e çështjes së kufirit detar.
“Zgjidhja për Greqinë është përcaktimi i kufijve të shelfit kontinental për ndarjen e Zonave Ekskluzive Ekonomike, në bazë të ligjeve ndërkombëtare për vendet fqinje. Me Shqipërinë duam ta zgjidhim këtë pengesë të prapambetur sa më shpejt të jetë e mundur. Siç kam thënë në parlament kohët e fundit që pas ratifikimit të marrëveshjeve për demarkacionin detar me Italinë dhe Egjiptin, shpresoj që hapi i radhës të jetë nënshkrimi i një marrëveshjeje me Shqipërinë”, tha Dendias.
Kryediplomati grek thotë se shpreson që marrëveshja e re të kënaqë të dyja palët, pavarësisht se një e tillë u arrit në 2009 mes qeverisë greke dhe asaj shqiptare, e cila nuk u vu në zbatim sipas tij për arsye që dihen.
Dendias kujton që mbyllja e të gjitha çështjeve të mbetura pezull i shërben fqinjësisë së mirë, por edhe perspektivës europiane të Shqipërisë.