Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një konferencë për mediat ka hedhur akuza kundër qeverisë lidhur me inceneratorët.
Në fjalën e tij, Basha u shpreh se qeveria e Ramës vijon të vjedhë lekët e qytetarëve dhe nuk po ndihmon shtresat në nevojë që janë duke vuajtur nga pandemia e COVID.
“Mafia e inceneratorëve që ka në përbërje, Edi Ramën, Arben Ahmetaj, Erion Veliajn dhe njerëz të krimit të organizuar, si Klodian Mërtiri me shokë po vijojnë të marrin para nga buxheti i shtetit.
Kjo bandë kriminale, ky grup kriminal i përbërë nga Edi Rama, Arben Ahmetaj, Erion Veliaj dhe Klodian Mërtiri kanë shtrirë tentakulat dhe tek disa media. Unë u them atyre drejtuesve të mediave që ato para që merrni janë haram, refuzoni ato para, nuk është kurrë vonë për t’u penduar”, tha ndër të tjera Basha.
Më tej kreu i Partisë Demokratike i ka bërë thirrje dhe SPAK-ut që të hetojë këtë aferë korruptive që sipas tij i janë vjedhur buxhetit të shtetit më shumë se 400 milion Euro.