Kreu i Partisë Demokratike i ka drejtuar disa pyetje publike Edi Ramës. Në një konferencë për mediat, Basha u shpreh se Rama duhet të përgjigje se çfarë e ka shtyrë që t’i japë miliona Euro mafias së inceneratorëve.
“Edi Rama duhet ta bëjë këtë debat me prokurorët dhe të thotë se çfarë e ka shtyrë që u ka thënë 75 milion Euro mafias se plehrave, çfarë e ka shtyrë që u ka dhënë 2 milion Euro vetëm javën e fundit”, u shpreh Basha.
Kreu i PD përsëriti edhe njëherë projektin e tij se kur të marrë pushtetin do të hetojë dhe do të vendosë para përgjegjësisë të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë aferë.
“Anulimi është minimumi, ne do të vendosim para përgjegjësisë të gjithë ata që kanë vjedhur paratë e shqiptarëve, nga Zimbabve deri në Honolulu e Alaskë, do kemi agjenci që do merren me këto punë me kohë të plotë”, shtoi kreu i PD.
Ndërkohë Basha, teksa u përgjigj nëse është gati për një debat me Ramën tha se e pret që nga viti 2006.
“Sa për mua unë e përsëris, i kam bërë ftesë që në vitin 2006, por mos prisni që ati të dalë në debat se ka frikë nga ata brenda PS-së dhe jo me ndaj fjalës sime”, shtoi numri një i opozitës.
Basha i revoltuar me SPAK
Në një konferencë për shtyp nga selia blu, Basha u shpreh se prokurorët e SPAK duhet të nisin sa më shpejt hetimet për aferën e 400 milionë Eurove të inceneratorëve.
Me tone të larta i është drejtuar SPAK-ut, duke kërkuar që të nisin hetimet ose të japin dorëheqjen.
“Anëtarët e SPAK të nisin hetimet për aferën 400 milionë ose të japin dorëheqjen. Çfarë presin? Të marrin njerëzit fatin e tyre në dorë? Sot duhet të dalin edhe t’i thonë shqiptarëve a kanë filluar apo jo hetimin. Ky krim i rëndë duhet të ishte hetuar. Ndërkohë vazhdon vjedhja. Javën e kaluar u paguan 2 milionë Euro dhe s’lëviz gishtin asnjë prokuror. Ky është një krim i rëndë kundër shqiptarëve”, deklaroi kryedemokrati Basha.