Bota Banka Botërore: Pandemia po u rrezikon shkollimin 1 miliard të rinjve

Banka Botërore: Pandemia po u rrezikon shkollimin 1 miliard të rinjve

Që nga fillimi i vitit, pandemia është shndërruar në një pjesë të rëndësishme të përditshmërisë, dhe po rrezikon ekonomitë globale, duke kthyer në statusin e varfërisë ekstreme më shumë se 150 milionë persona në botë.

Janë fjalët e alarmuara të kreut të Bankës Botërore, amerikanit David Malpass, për situatën e muajve të fundit. Sipas tij, vendet e varfra, por të mbipopulluara si India, Etiopia dhe Nigeria janë nga më të goditurat, me pjesë gjithmonë e më të gjera të popullsisë që mbijeton me më pak se 2 dollarë në ditë.

Malpass në një intervistë për televizionin amerikan CNBC ngriti edhe alarmin për pasojat e pandemisë në shkollimin e gjeneratave të reja. Sipas tij, “mund të jenë rreth 1 miliard fëmijët që gjenden jashtë shkollave, në pritje të një përmirësimi. Me një valë të dytë pandemie, situata vetëm do të përkeqësohej, dhe është shqetësuese”.

Sipas Kombeve të Bashkuara, të paktën 24 milionë studentë kanë braktisur shkollën si pasojë e vështirësive të ndryshme nga pandemia. “Sa më shumë fëmijët rrinë larg shkollave, aq më shumë është e vështirë të rikthehen”, deklaroi disa ditë më parë Henrietta Fore, drejtoresha ekzekutive e Fondit për Fëmijët në OKB.