E sigurtë, e patundur dhe shumë direkte, Savannah Guthrie, vuri në vështirësi presidentin Trump gjatë debatit televiziv me rivalin e tij Joe Biden që u transmetua në dy rrjete televizive.
Veshur me një kostum rozë të ndezur, gazetarja zhvilloi thuajse një seancë hetimore ndaj Trump duke e pyetur për çështjet më të nxehta si menaxhimi i pandemisë, infektimi i vete kreut të Shtëpisë së Bardhë, lidhja me esktremistët e djathtë dhe pasionin e tij për teoritë konspirative. Por pika më kulmore e debatit ishte kur ajo e pyeti Presidentin mbi një postim në Twitter në të cilin vinte në dyshim vdekjen e terroristit Osama Bin Laden.
“Ishte një ripostim. Ishte mendimi i dikujt tjetër, unë thjesht e ripostova. Njerëzit e kuptojnë vetë, nuk kam ndërmend të mbaj qëndrim”, tha Trump.
“Nuk arrij ta kuptoj këtë. Ju jeni president, jo një i çmendur apo një xhaxha që mund të ripostojë çdo gjë”, u shpreh gazetarja.
48-vjeçarja, jo vetëm replikonte me fakte ndaj përgjigjeve të Trump lidhur me çështjet e taksave të papaguara, mbështetjes së grupeve ekstremiste apo pandemisë, por shpesh reagonte edhe ndaj retorikës së tij sfiduese.
Për Trump, përballja me të pak para zgjedhjeve, ishte ëndrra me e keqe e bërë realitet. Savanna ndërkaq, është shndërruar në yllin e momentit dhe në heroinën e Partisë Demokratike në SHBA. Prej 2007, gruaja punon për rrjetin televiziv NBC dhe prej 11 vitesh drejton programin televiziv “Today”.
Debati i dytë presidencial ishte planifikuar fillimisht për të enjten, por Trump u tërhoq pasi nuk ishte dakord me mënyrën virtuale. Debati përfundimtar mes Trump dhe rivalit te tij demokrat Joe Biden është planifikuar të mbahet më 22 tetor.