Diplomacia shqiptare ka heshtur duke ruajtur baraslargësinë në konfliktin që ka shpërthyer mes Armenisë dhe Azerbajxhanit për rajonin e Nagorno-Karabakhut, por ky qëndrim i Tiranës nuk është “pritur” mirë nga Ankaraja, që kërkon pozicionim të qartë në krah të azerëve.
“Azerbajxhani meriton mbështetjen dhe simpatinë e justifikuar edhe nga aleatët tanë, përfshirë këtu Shqipërinë dhe partnerët e tjerë europianë, që nga Gjeorgjia, Ukraina, Moldavia, duke pasur parasysh konfliktet në Abkhazi, Osetinë e Jugut, Krime, Donbas, apo Transnistria”, thotë në një editorial për “Albania Daily News”, ambasadori turk në Tiranë, Murat Ahmet Joruk.
Kryediplomati turk në Tiranë nënkupton se rreshtimi në krah të Azerbajxhanit është detyrim për Shqipërinë, që të dalë në mbrojtje të interesave të saj.
“Armenia ka shënjestruar gjithashtu edhe gazsjellësat duke rrezikuar sigurinë energjitike, jo vetëm për rajonin, por për të gjithë Europën. Sulmet e saj ndaj degëve jugore të gazsjellësave që mbërrijnë në Europë, që kalojnë në Turqi, Bullgari, Greqi, Shqipëri dhe Itali do të lënë Rusinë si të vetmen furnizuese me gaz të të gjithë Europës”, shkruan Joruk.
Vetë Turqia është rreshtuar që në fillim në krah të azerëve, madje është akuzuar nga Armenia dhe vende të tjera, kryesisht të Europës Perëndimore se po e mbështet atë, jo vetëm përmes armatimeve me dronë dhe mjete të tjera luftarake, por edhe me mercenarë që ka përdorur në konfliktin e Sirisë.
Joruk thotë se është e qartë se Armenia është fajtorja për rindezjen e konfliktit që fle për vitesh dhe se ajo është në shkelje të të gjitha rezolutave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ai thotë gjithashtu se Jerevani nuk ka qenë i sinqertë në bisedimet e paqes të ndërmjetësuara nga i ashtuquajtur “Grupi i Minskut”.
“Mëngjesin e 27 shtatorit, forcat armene nisën bombardimin mbi pozicionet mbrojtëse azere dhe popullsinë civile me artileri të rëndë dhe raketa në kundërshtim të hapur me marrëveshjen e armëpushimit dhe ligjet ndërkombëtare për Vijën e Kontaktit në Nagorno-Karabakh.
Me këtë akt agresioni ndaj Azerbajxhanit, Armenia provoi edhe njëherë se është pengesa kryesore për vendosjen e paqes dhe stabilitetit në këtë rajon”, shkruan Joruk.