Revista gjermane “Spiegel” raporton së fundmi për ato që i cilëson si “përgatitje për skenarin më të keq” të zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Dhe ky skenar më i keq është mosnjohja e rezultatit nga presidenti aktual Donald Trump, çka ka vënë në lëvizje autoritetet europiane që do të duhet të kenë një qëndrim mbi atë që mund të ndodhë.
“Mund të imagjinohet një skenar në të cilin presidenti Brazilian Jair Bolsonaro nxiton të urojë presidentin e “rizgjedhur” të SHBA natën e zgjedhjeve, ndjekur nga princi saudit i kurorës, diktatori koreanoverior dhe ndoshta edhe presidenti rus Putin. Më pas urimet nga Europa do të mbërrijnë në Shtëpinë e Bardhë që nga kryeministri hungarez Viktor Orban, p.sh apo kundërparti i tij polak Morawiecki. Nëse në SHBA do të kemi një krizë kushtetuese pas zgjedhjeve ka shqetësime se kjo do ta ndajë sërish BE-në”, shkruan revista.
Sipas autorëve të shkrimit, Markus Becker, Christiane Hoffmann dhe Peter Müller, kancelaritë në Europë – këtu do kuptuar ato kryesore – po marrin në konsideratë edhe versionin më të paimagjinueshëm: Donald Trump humbet zgjedhjet por ai refuzon të lërë zyrën.
Kjo do të vinte në pikëpyetje të ardhmen e vetë demokracisë së formë qeverisjeje.
“Si do të përgatitet Europa për këtë skenar? Zyrtarët në Berlin dhe në Bruksel nuk duan të spekullojnë publikisht. Por në diskutime jozyrtare, politikanët dhe diplomatët kanë bërë të qartë se e shohin këtë skenar si mundësi shumë reale… Në Bruksel një diplomat i lartë i BE-së dërgoi së fundmi një raport konfidencial nga Washington-i, në të cilin ai paralajmëron se një skenar i tillë nuk duhet përjashtuar”, theksohet në shkrim.
Duke patur parasysh kohën mes datës së zgjedhjeve dhe nxjerrjes së rezultatit zyrtarisht, sugjerohet që BE-ja të mos prononcohet.
“Të shpresojmë se demokracia amerikane është aq e fortë sa të zgjidhë problemin”, citohet eurodeputeti gjerman Reinhard Butikofer.
Lidhur me këtë zhvillim që mund të rezultojë si përcaktues për të ardhmen e mbarë Perëndimit dhe me ndikim në mbarë botën, në Europë identifikohen tre kampe. Sipas Thomas Kleine-Brockhoff, numri dy i German Marshall Fund: “Është kampi i francezëve që duan autonomi strategjike, ai i europianolindorëve që angazhohen në lidhje strategjike dhe ai i gjermanëve angazhimi i të cilëve ndaj durimit strategjik shpesh çon në inerci strategjike”.
Revista vëren se “francezët janë të bindur se për shkak të ndryshimeve strukturore në botë, marrëdhënia mes Europës dhe SHBA po ndryshon kaq thellë saqë rezultati i zgjedhjeve nuk do të ketë ndonjë ndikim përcaktues”. Këtu çështja është nëse BE-ja do të ketë kurajon të thotë për Trump atë që tha për Lukashenkon në Bjellorusi? Për Elmar Brok, një figurë e njohur e CDU-së, nëse do të ishte flagrante një gjë e tillë, pra shkelja: “BE-ja duhet të marrë shpejt një pozicion”.
Për të arritur një rol në mbrojtjen e demokracisë në BE po shtohen zëra që në zgjedhjet amerikane të dërgohen vëzhgues, diçka që duket si një provokim. Nuk mungojnë edhe ata si Sigmar Gabriel që thonë se problemet europiane nuk kanë të bëjnë me SHBA dhe ato do të vazhdojnë pavarësisht se kush ulet në Shtëpinë e Bardhë.