Politika Meta nuk është dakord me bashkëshorten për maskat, por gjobat i cilëson...

Meta nuk është dakord me bashkëshorten për maskat, por gjobat i cilëson “maskaradë”

Presidenti Ilir Meta u shpreh sot kundër vendosjes së gjobave për maskat në faturën e energjisë elektrike.

Ai u shpreh se përmbajtja e aktit që gjobit qytetarët për mosmbajtjen e maskave është një maskaradë sepse mund t’i lërë pa drita në mes të dimrit.

“Jam thellësisht i shqetësuar. Çdo lloj mase që merret për arsye shëndetësore, e certifikuar nga ekspertët, është e mirëpritur, por përmbajtja e aktit që gjobit qytetarët për mosmbajtjen e maskave është një maskaradë sepse mund t’i lërë pa drita në mes të dimrit sepse e shndërron OSHEE-në nga një kompani që ka për detyrë furnizimin me energji elektrike, në një instrument policor, ndoshta edhe elektoral. Nuk është zgjidhje që t’i lësh njerëzit pa drita dhe t’i shantazhesh. Çdo të ndodhë me familjen që do të mbifaturohen. OSHEE nuk mund të ndërpresë energjinë për mos mbajtje të maskës. Akti normativ i qeverisë, në 3 fjali të paqarta, të mjegullta, shkon shumë më tej në qëllimet e tij dashakeqe, synon që të bëjë me precedentë penalë qytetarët shqiptarë duke i detyruar të përfundojnë para dyerve të prokurorisë dhe gjykatave dhe të harrojnë problemet themelore me të cilat kjo qeveri e ka zhytur vendit.

I bëj thirrje qeverisë të reflektojë, i bëj thirrje kuvendit ta ndryshojë akti normativ. Maskat duhet t’i vendosim për të mposhtur koronavirusit dhe jo t’i shpëtojmë ndëshkimit të qeverisë në mënyrë arbitrare”, u shpreh Meta.

Kryemadhi kundër maskave, Meta nuk është dakord me bashkëshorten

“Personalisht nuk kam për ta mbajtur maskën dhe u bëj thirrje qytetarëve që maska të mbahet aty ku është e domosdoshme për ta mbajtur”. Kështu u shpreh më 12 tetor në një studio televizive Monika Kryemadhi, kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Por, në komunikimin e kësaj të hëne për mediat, Presidenti Ilir Meta, u shpreh se ai është kundër atyre që janë shprehur për mos vendosjen e maskës. Ai i kërkoi qytetarëve të respektojnë rregullat antiCovid. “U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të jenë sa më të kujdesshëm, të respektojnë të gjitha rregullat e komunikuara nga autoritetet. Në rastin konkret, të gjithë ata që kanë mundësi ta mbajnë maskën, por të mos harrojmë se një pjesë nuk kanë mundësi për ta siguruar maskën. Jam kundër atyre që bëjnë thirrje për mosmbajtje të maskave. Qeveria duhet të kishte marrë masat të kishte siguruar maska për qytetarët”, u shpreh Meta.