Qeveria miratoi në një mbledhje të posaçme të saj projektbuxhetin e vitit të ardhshëm. Ekzekutivi synon rimëkëmbjen ekonomike të vendit pas dy fatkeqësive natyrore si tërmeti i 26 Nëntorit 2019 dhe pandemia e shkaktuar nga COVID-19 ndërkohë që fokusin e saj do ta ketë tek pesë prioritete si rindërtimi, shëndetësia, arsimi, fermerët dhe infrastruktura.
Ministria e Financave thotë se një vëmendje e veçantë në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm i është kushtuar sektorit të shëndetësisë dhe arsimit, përmes parashikimeve për vaksinën kundër Covid-19, rritjes së pagave të stafit mjekësor dhe mësuesve, duke filluar nga viti 2021.
“Në buxhet është parashikuar edhe skema e subvencionimit të naftës, e cila vjen në ndihmë të fermerëve prej vitit të ardhshëm. Projektbuxheti 2021 dhe ai afatmesëm bazohen në një kuadër makroekonomik të kujdesshëm dhe realist. Pas recesionit të fortë në vitin 2020, ekonomia pritet të rikuperohet në vitin 2021 dhe të vijojë trendin pozitiv në periudhën afatmesme”, njoftoi Ministria e Financave.
Rritja ekonomike në 2021-shin parashikohet në 5.5% dhe pritet sipas ministrisë së financave që të konvergojë rreth nivelit prej 4% përgjatë periudhës afatmesme në vijim.
“Norma e papunësisë parashikohet me ulje në 2021 në nivelin 12.2% krahasuar me parashikimin e vitit 2020 prej 13.9%. Rritja ekonomike dhe punësimi do të mbështetet edhe nga objektivi tjetër i planifikuar në këtë buxhet, ai i sigurimit të një niveli të lartë të investimeve publike prej 7.3% e PBB-së”, thotë ministria.
Deficiti buxhetor për vitin 2021 planifikohet të jetë në nivelin 6.5% të PBB-së. Në fund të vitit 2023, niveli i deficitit buxhetor parashikohet të ulet në 2.3% të PBB-së dhe balanca primare të kthehet në nivele pozitive, duke përmbushur objektivin madhor të Qeverisë për uljen graduale të stokut të borxhit publik. Sipas qeverisë Projektbuxheti 2021 garanton mbështetje financiare për vijimin e reformave të nisura në sektorë kyç të ekonomisë.
Një prej to do të jetë edhe ajo për Reformën në Drejtësi e cila do të marrë një mbështetje të konsiderueshme buxhetore, së bashku me Reformën në administratën publike dhe Reformën e menaxhimit të financave publike.
“Të tri Reformat do të jenë instrumente të rëndësishëm të realizimit të prioriteteve të programit të Qeverisë”.
Projektbuxheti i vitit 2021, programon të ardhura buxhetore në masën 479 miliardë lekë ose 28.5% e PBB. Ky programim bazohet në përmirësimin e administrimit fiskal dhe minimizimin e informalitetit në ekonomi. Shpenzimet Buxhetore për periudhën 2021-2023 të programuara në masën 587.6 miliardë lekë ose 34.9% e PBB do të mbështesin një nivel të lartë investimesh publike duke u përqendruar në procesin e rimëkëmbjes të ekonomisë, si dhe financimin e projekteve të rëndësishme strategjike.
Shpenzimet e planifikuara synojnë finalizimin e projekteve të rrugëve nacionale, mbështetjen e sektorit të ujit, shëndetësisë, arsimit dhe sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural. Do të jenë të paktën 5 prioritete në buxhetin 2021 që kanë të bëjnë me rindërtimin, shëndetësinë, arsimin, fermerët dhe infrastrukturën.
“Procesi i Rindërtimit do të financohet me 28 mld lekë në vitin 2021, ndërkohë, që mbi këtë edhe 1.5 mld lekë parashikohen të vijojnë financimin e bonusit të qirave për familjet e pastreha si pasojë e tërmetit të 26 Nëntorit 2019;
Shëndetësia do të vijojë të financohet me prioritet, ku një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet përballimit të pandemisë COVID-19, përfshirë edhe blerjen e vaksinës Anti-Covid 19, si dhe do të ketë një rritje prej 40% të pagave për mjekët, infermierët dhe laborantët e sistemit shëndetësor me një kosto totale vjetore prej 4.5 mld lekë ;
Arsimi do të përfitojë një financim në rritje, ku spikat rritja me 15% e pagës së mësuesve të sistemit arsimor parauniversitar me një kosto prej 3.5 mld lekë si dhe financimi i prioriteteve të Paktit për Universitetin;
Fermerët, krahas skemës së mbështetjes me grante nga buxheti i shtetit dhe nga fondet e IPARD si dhe nga fondi i garancisë të bashkëfinancuar me BERZH, do të mund të përfitojnë nga skema e subvencionimit të naftës, e cila do t’i kushtojë buxhetit të shtetit për vitin 2021 rreth 1 miliardë lekë.
Infrastruktura, ku do të investohet në projektet e mëdha si Tuneli i Llogarasë, Unaza e re e Tiranës, rruga Kardhiq-Delvinë etj., si edhe zgjerimi i rrjetit të rrugëve kombëtare dhe akseve rrugore me rëndësi për zhvillimin ekonomik të rajoneve”.