Kryesore “Deti”, Rama dhe Dendias: Do t’i drejtohemi drejtësisë ndërkombëtare

“Deti”, Rama dhe Dendias: Do t’i drejtohemi drejtësisë ndërkombëtare

Çështja e shumëdebatuar e detit do të zgjidhet në instancat ndërkombëtare. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama këtë të martë, krah ministrit të Jashtëm grek Nikos Dendias, i cili ndodhet në vendin tonë në një vizitë zyrtare. Pas takimit mes tyre, Rama u shpreh se Shqipëria dhe Greqia kishin rëndë dakord që t’i drejtohen drejtësisë ndërkombëtare, për të vendosur pikat mbi “i” në bazë të ekspertizës dhe të së drejtës ndërkombëtare të detit.

“E kam shumë të qartë që të gjithë sot i kanë veshët e hapur të dëgjuar lidhur me “pushtimin” e ardhshëm që Greqia do t’i bëjë Shqipërisë përmes detit, por nuk do të ketë një pushtim, përkundrazi dhe më vjen keq që do të zhgënjehen patriotët e detit, sot me shumë kënaqësi mund ta them na ana ime, Ministri patjetër nga ana e tij, që kemi rënë dakord që këtë çështje ta trajtojmë në instancat ndërkombëtare. Së bashku, Shqipëria dhe Greqia do t”i drejtohen drejtësisë ndërkombëtare, për të vendosur pikat mbi “i” në bazë të ekspertizës dhe në bazë të të drejtës ndërkombëtare të detit. Më vjen keq për patriotët e detit, por në këtë mënyrë duhet të gjejnë arsye të tjera për të shpallur patriotizmin e tyre, çështja e detit nuk është më një çështje me të cilën mund të bëjnë as propagandën e tyre të shpifur antigreke, që është një turp dhe as elektorat patriotik në Shqipëri apo dhe në Kosovë. Të vetëvendosen në çështje të tjera”, tha Rama.

Ndërsa ministri Dendias tha se zgjidhja e kësaj çështjeje do të ketë si bazë marrëveshjen e OKB-së.

“Zgjidhja e kësaj divergjence do të jetë e dobishme për të dyja vende. Kam dëgjuar me interes edhe dakordësinë e Ramës se zgjidhja e kësaj çështje do të ketë si bazë marrëveshjen e OKB-së ku kemi nënshkruar dy vendet. Duke analizuar këtë çështje dhe duke ekzaminuar këtë çështje kemi rënë dakord që të kalojmë këtë çështje në të drejtën ndërkombëtare në Gjykatën Ndërkombëtare”, tha Dendias.

Në konferencën për shtyp, Rama tha gjithashtu se palët kishin rënë dakord për një mbledhje të përbashkët mes qeverive të dy shteteve.

“Kemi rënë dakord që të fillojmë punën për të organizuar edhe një mbledhje të parë të të dyja qeverive, qeveria e Shqipërisë dhe qeveria e Greqisë për t’u marrë me çështjet që kanë rëndësi për njerëzit e zakonshëm dhe që kanë rëndësi për fëmijët tanë në Shqipëri dhe Greqi.”