Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka kritikuar ashpër Prokurorinë e Posaçme Anti Korrupsion për mosreagim në lidhje me atë që ai e konsideron si aferën e shekullit dhe që lidhet me 3 inceneratorët.
Sipas kreut të demokratëve, Policia dhe Prokuroria japin informacion për çdo krim ordiner, por për vjedhjen e parave të shqiptarëve me inceneratorët nuk ka asnjë detaj gjë që sipas tij i inkurajon hajdutët të vjedhin dhe më shumë.
“Policia dhe Prokuroria japin informacione të hollësishme për çdo krim ordiner, për aferën e inceneratorëve, asnjë gjë. Edhe pse kjo është afera më e rëndë e shekullit akoma nuk kemi asnjë komunikim apo reagim nga Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion. Kjo inkurajon hajdutët të bëjnë dhe më shumë.
120 mln euro të tjera për kontratat korruptive janë parashikuar në vitin 2021. Këtu ende nuk janë thirrur të dyshuarit kryesor që kanë firmosur aferën. Na vijnë qindra mesazh të vetmit që nuk lëvizin janë Prokurorët e SPAK. Kjo nuk është një betejë mes PS dhe PD dhe as një debat politik, por një aferë përballë një grupi të strukturuar kriminal”, deklaroi Basha.
Basha sulmon sërish Ramën: 20 milionë euro në buxhetin 2021 për inceneratorët
Basha, ka vijuar akuzat ndaj kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij në lidhje me çështjen e inceneratorëve.
Basha shprehet se Rama prej dy javësh nuk kthen përgjigje për atë që ai e konsideron si vjedhjen e shekullit dhe shton se qeveria ka caktuar dhe 20 milionë euro të tjera në buxhetin e vitit të ardhshëm për inceneratorët.
“Rama nuk ka dhënë një minutë llogari për vjedhjen e shekullit të mbi 400 milionë eurove të shqiptarëve që vetëm deri tani i kanë kushtuar qytetarëve 75 milionë euro.
Ky është buxheti me më shumë gënjeshtra në 30 vite dhe tabloja e qartë e Edi Ramës në një anë dhe qytetarëve në anën tjetër që edhe në muajt e fundit të pushtetit vazhdon të vjedhë paratë e shqiptarëve për koncensione dhe afera korruptive si ajo e inceneratorëvve. Vetëm inceneratorët do të marrin 20 milionë euro, sipas këtij plani.
120 milionë euro të tjera për kontrata të tjera korruptive. Kjo shumë është 6 herë më e lartë se për indeksimin e pensioneve për të gjithë pensionistët. Kjo shumë do të mjaftonte të mbulonte deri në mars planin tonë me 5 pika kundër qeverisë”, u shpreh Basha.