Kryeministri Edi Rama u shpreh këtë të enjte nga inceneratori i Elbasanit se Partia Socialiste ndodhet para një sfide të vështirë. Sipas kreut të qeverisë, sfida e selisë rozë është të vazhdojë kthesën që ka marrë apo të lerë vendin të kthehet sërish pas nëse pushtetin e merr një forcë tjetër.
Kryeministri u shpreh se Lulzim Basha, Monika Kryemadhi, Ilir Meta dhe Sali Berisha janë bashkë në këtë betejë. Ai tha se qytetarët që votojnë për Lulzim Bashën, marrin dhuratë Ilir Metën.
“Sot PS është para një sfide të vështirë për t’ia bërë Shqipërisë më të lehtë. Sfida e Shqipërisë është të vazhdojmë kthesën deri në fund, tanimë jemi futur dhe po e rrisim shpejtësinë në majën e kthesës apo të bëjmë një kthim pas katastrofik. Imagjinoni sikur Shqipëria të mbetet në dorë të Lulzim Bashës, Monika Kryemadhit, Ilir Metës dhe Sali Berishës sepse këta janë bashkë. Kjo duhet të shërbejë qartësisht si një arsye për ta menduar mirë zgjedhjen e tyre, në radhë të parë ata që kanë 1001 arsye që janë të pakënaqur dhe që nuk duan të votojnë PS-në. Nuk i diskutoj sot ato arsye dhe që kanë 1001 arsye që të jenë verbërisht me PD-në. Nuk dua të imagjinoj çfarë do të thotë të votosh për të marrë Lulin dhe të marrësh peshqesh Ilir Metën. Të votosh për të marrë PD-në dhe t’i japësh jetë për të vazhduar ose rifilliuar t’i pijë gjakun shtetit LSI-së. Kjo është si 1 dhe 1 bëjnë 2 se 7 dhe 7 nuk bëjnë 42”, tha Rama.
Kreu i qeverisë prezantoi nismën “Deputeti që duam” dhe tha se janë me dhjetëra personat që kanë shprehur interesin për t’u bërë pjesë e skuadrës së tij. Rama tha se Partia Socialiste është e vetmja forcë që ka mbrojtur interesin kombëtar të vendit.
“PS-ja është një forcë që ka një virtyt të madh. Ka një virtyt qartësisht nënvizuar nga historia e saj. Është e vetmja forcë politike që ka pasur përgjegjësi dhe që asnjëherë përgjegjësinë nuk e ka shpërdoruar për të cënuar interesin kombëtar. Fatkeqësisht nuk mund të thuhet për forcat e tjera. PS-ja është po ashtu, duan s’duan të tjerët, forca më e madhe politike e shqiptarëve dhe PS-ja e ka pasur dhe e ka, jam i bindur që do e ketë dhe në të ardhmen pavarësisht kush është lideri në ADN-në prirjen për t’u vetëripërtërirë, prirjen për t’u modernizuar, duke u energjizuar, duke u hapur dhe duke u zgjeruar në hapësirën ku vepron dhe jeton shoqëria. Sot PS-ja është përsëri në të njëjtën sfidë që ka qenë gjithnjë në fakt që është sfida për të mos e lënë vendin që të shkojë mbrapsht. Sa herë, PS-ja ka qenë në betejë, beteja ka qenë gjithmonë mes të ardhmes dhe të shkuarës dhe në asnjë rast e ardhmja nuk ka qenë në arnën tjetër pavarësisht se si kanë shkuar gjërat dhe pavarësisht nëse PS-ja ka fituar po humbur. Nëse ka humbur ka humbur jo sepse e kanë mundur të tjerët, por sepse ka humbur vetveten. Vendi është kthyer mbrapa sa herë i është dhënë mundësia të tjerëve të bëjnë atë që vetëm PS di ta bëjë pavarësisht të metave apo gabimeve”, tha Rama.