Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, në një intervistë për emisionin “Opinion”, ka folur për zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri.
Kim shprehet se muajt në vijim do jenë një stinë e ashpër politike, por shton se populli shqiptar dhe qeveria duhet të jenë garantë për zgjedhjet. Po ashtu diplomatja ka dhënë dhe nga një këshillë për Ramën dhe për Bashën.
Blendi Fevziu: Dhe, ambasadore, ngjarja më e rëndësishme në shoqërinë shqiptare do të jenë zgjedhjet e 25 prillit. Cilat janë pritshmëritë tuaja për këto zgjedhje?
Ambasadorja Kim: Rregullat janë përcaktuar tashmë. Partitë duhet të qëndrojnë të angazhuara në këtë proces. Dhe pritshmëria ime është që, ashtu si më parë, bashkësia ndërkombëtare, përfshi Shtetet e Bashkuara, si dhe OSBE dhe ODIHR, do të marrin pjesë për të ofruar mbështetjen që i duhet Shqipërisë për të siguruar që të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Mendoj se do të jetë një stinë e ashpër politike…
Blendi Fevziu: Kush do ta garantojë që do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme?
Ambasadorja Kim: Kush do ta garantojë? Populli shqiptar duhet ta garantojë. Qeveria shqiptare duhet ta garantojë.
Blendi Fevziu: Në 30 vjet, nuk i kemi pranuar asnjëherë zgjedhjet…
Ambasadorja Kim: Do të ketë mbështetje nga bashkësia ndërkombëtare, por përgjegjësia kryesore është e vendit. E di që njerëzit janë zhgënjyer nga zgjedhjet në të shkuarën por edhe ODIHR ka qenë shumë e qartë në rekomandimet që kanë bërë për t’i bërë më të mira zgjedhjet në Shqipëri. Mendoj se ka pasur përparim, pak nga pak, për shembull, si pjesë e marrëveshjes së 5 qershorit, pati një marrëveshje për zbatimin e identifikimit biometrik. Kjo do të ndihmojë për të eliminuar mashtrimet në qendrat e votimit. Ka edhe një numër kërkesash të tjera dhe mund t’i gjeni në faqen e ODIHR-it.
Blendi Fevziu: Por ambasadore, problemi është që asnjë nga njerëzit që kanë blerë vota apo krijuar probleme me votat nuk është ndëshkuar. E dini mirë që ka dy dosje në duart e drejtësisë për rastet e Dibrës dhe Durrësit, por askush nuk është çuar në gjykatë për këto krime.
Ambasadorja Kim: Mendoj se tani që SPAK është funksional plotësisht, kur paraqiten prova të qarta, ata do të ndërmarrin veprime.
Blendi Fevziu: Ambasadore, nëse ju pyes juve, çfarë këshille keni për Kryeministrin Rama, cilat do të ishte këshilla?
Ambasadorja Kim: Për çfarë?
Blendi Fevziu: Për politikën.
Ambasadorja Kim: Jetën në përgjithësi?
Blendi Fevziu: Do të përqendrohem tek zgjedhjet e 25 prillit.
Ambasadorja Kim: Shiko, nuk jam eksperte e zgjedhjeve, por ODIHR është ekspert dhe ata kanë paraqitur disa rekomandime shumë të qarta se çfarë duhet bërë për zgjedhjet në Shqipëri. Po e lë me kaq.
Blendi Fevziu: Dhe këshilla juaj për Lulzim Bashën?
Ambasadorja Kim: E njëjta gjë, përsëri, nuk kam detyrë për të dhënë këshilla, por mendoj se është e rëndësishme për të gjithë udhëheqësit politikë që të jenë transparentë dhe të ndershëm me votuesit, të qëndrojnë të angazhuar në proces, të mos largohen dhe të mbajnë premtimet që iu japin njerëzve.
Blendi Fevziu: Pse e quajtët Luli Basha dhe jo Lulzim Basha?
Ambasadorja Kim: E dini, ishte një episod shumë për të qeshur…
Blendi Fevziu: E di, është një detaj, por jam kureshtar.
Ambasadorja Kim: E dini, ai më thotë Yuri. Unë i them Luli dhe kam këtë lloj marrëdhënieje miqësore me shumë njerëz në Shqipëri. Nuk m’u duk ndonjë gjë dhe u habita kur pashë një artikull që e quante shenjë mos respekti. Në fakt, kjo është gjëja më e fundit që mund të ishte.
Blendi Fevziu: Dhe nëse të pyes për një këshillë për Presidentin Meta?
Ambasadorja Kim: E njëjta gjë.
Blendi Fevziu: E njëjta gjë?
Ambasadorja Kim: Po.
Blendi Fevziu: Ai nuk do të jetë në zgjedhje sepse është president, por është shumë aktiv në politikë në muajt e fundit.
Ambasadorja Kim: Një pikë shumë me vend. Mendoj se ka një rol shumë unik dhe shumë të rëndësishëm që presidenti mund të luajë si bashkues i vendit. Dhe kur e luajti atë rol në fillimet e pandemisë Covid19 dhe thirri Këshillin e Sigurisë Kombëtare, duke bërë bashkë jo vetëm Kryeministrin por edhe udhëheqësin kryesor të opozitës, mendova se ishte një shembull vërtet i fuqishëm dhe pozitiv. Dhe shpresoj që kjo është diçka që do ta përsërisë. E di që ky është një rol që do ta vlerësonte populli shqiptar. Di që është një rol që Uashingtoni sigurisht e vlerëson ndaj pres me kënaqësi ta shoh të luajë një rol shumë pozitiv.