Presidenti rus Vladimir Putin tha të enjten se ai personalisht kishte ndërhyrë për të lejuar daljen për mjekim jashtë shtetit të opozitarit të tij Alexei Navalny, i cili u helmua me agjentin kimik Novichok.
“Sapo bashkëshortja e tij mu adresua, menjëherë urdhërova prokurorin që të shihte nëse ishte e mundur që ai të largohej nga vendi për trajtime mjekësore,” – tha Putin gjatë një vide-konference në një forum në Moskë.
Sipas presidentit rus, Navalny, 44-vjeç, mund të mos i lejohej largimi nga vendi pasi “kishte disa çështje gjyqësore” të cilat e mbanin atë me kufizim të lëvizjes në Rusi.
“I kërkova Prokurorit të Përgjithshëm ta lejonte (këtë largim) dhe ai (Navalny) u largua,” – shtoi Putin.
Në fund të muajit gusht, Navalny, një nga kritikët dhe oponentët më të zëshëm të Kremlinit, u sëmur rëndë teksa ishte duke fluturuar nga Siberia drejt Moskës. Pas dy ditësh në koma në spitalin lokal Omsk, atij iu lejua të merrte trajtim të specializuar në Gjermani kjo pasi familja e tij ushtroi trysni ndaj autoriteteve.
Sipas tre laboratorëve të ndryshëm evropianë dhe zyrave të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, Navalny u helmua me agjent kimik Novichok, një lloj kimikati i zhvilluar në periudhën e Bashkimit Sovjetik që stimulon sistemin nervor duke nxitur bllokim të muskujve, frymëmarrjes dhe funksionin e zemrës.
Navalny qëndroi për 18 ditë në koma dhe për dhjetëra të tjerë në reanimacion. Aktualisht ai ka dalë nga spitali, por po ndiqet në vijimësi për t’u riaftësuar nga pasojat që i la helmimi. Në disa intervista ai ka akuzuar direkt Presidentin Vladimir Putin si përgjegjës për atë çka i ndodhi, akuza të cilësuara “të pabaza” dhe “të papranueshme” nga Kremlini.
Politikani 44-vjeçar me formim jurist dhe i angazhuar prej dhjetëra vitesh në denoncimin e aferave korruptive ishte kandidat për Bashkinë e Moskës në vitin 2013 dhe nisi një valë protestash me pretendimin se partia e Putinit i manipuloi zgjedhjet. Disa vite më vonë ai kandidoi edhe për President përballë Putinit, kandidim që më pas u tërhoq.
Për helmimin e Navalny-it BE-ja u vendosi javën e shkuar sanksione gjashtë zyrtarëve të lartë rus.