Europa nuk po e kontrollon dot shpërthimin e ri të pandemisë së koronavirusit. Franca njoftoi se do të shtrijë masën e ndalimqarkullimit në mbi 12 rajone të tjera, ndërsa vendi raportoi një shifër rekord prej mbi 41 mijë e 622 rastesh dhe 162 vdekje, në 24 orë.
“Javët në vazhdim do të jenë të vështira dhe numri i vdekjeve do të vazhdojë të rritet. Nëse ne dështojmë në frenimin e pandemisë do të përballemi me një situatë të tmerrshme”, tha kryeministri francez, Jean Castex.
Masa e ndalimqarkullimit, nga ora 21:00 deri në 06:00, hyn në fuqi mesnatën e së premtes dhe mbi 46 milionë njerëz do të preken prej saj. Edhe shtetet e tjera europiane nuk po luftojnë dot shifrat gjithnjë e në rritje të infektimeve ditore.
Çekia, Franca, Italia, Spanja, Britania e Madhe, janë vatrat më të rëndësishme.
Kufizime lokale të ashpra për miliona britanikë
Miliona britanikë do t’i nënshtrohen sot kufizimeve të ashpra lokale, madje Uellsi do të përballet me një kufizim tjetër, për të frenuar valën e dytë të COVID-19 në Britaninë e Madhe.
I kufizuar më 23 mars gjatë valës së parë, vendi më i prekur në Europë nga pandemia me më shumë se 44 000 të vdekur, ka reaguar për përhapjen e kontaminimeve në mënyrë lokale dhe qeveritë lokale janë kompetente për sa i përket kësaj çështjeje.
Duke nisur nga ora 18:00 (17:00 GMT), më shumë se tre milionë banorë të Uellsit do të duhet të qëndrojnë në shtëpi deri më 9 nëntor, duke u bërë kështu rajoni i parë britanik që gjen si zgjidhje kufizimin.
Të gjitha bizneset jo-thelbësore do të duhet të mbyllen, por fëmijët në klasat fillore dhe disa të mesme do të jenë në gjendje të kthehen në shkollë në fillim të nëntorit pas pushimeve të shkollës.
Në Angli, qeveria e kryeministrit Britanik Boris Johnson po kërkon të shmangë bllokimin e përgjithshëm, por tani rreth gjysma e popullsisë, ose rreth 29 milion persona jetojnë nën kufizime lokale në një nivel ose në një tjetër.
Polonia, zonë e kuqe
Kryeministri polak njoftoi sot se i gjithë vendi do të kalonte në zonë të kuqe, me mbylljen e pjesshme të shkollave fillore dhe restoranteve, përballë një rritjeje rekord të kontaminimeve me COVID-19.
Këto 24 orët e fundit, vendi me 38 milionë banorë ka regjistruar 13 632 raste të reja me COVID-19, një rekord.
“I gjithë vendi do t’i nënshtrohet kufizimeve kundër koronavirusit duke u konsideruar ”zonë e kuqe” duke nisur nga e shtuna, deklaroi kryeministri Mateusz Morawiecki në një konferencë shtypi duke njoftuar kthimin e masave të reja në përpjekje për të frenuar epideminë e koronavirusit.
Greqia kufizon lëvizjen
Greqia shpalli masën e ndalimqarkullimit gjatë natës në Athinë, Selanik e zona të tjera mes rritjes së nivelit të infektimit, Sllovakia do të mbyllë shkollat deri më 27 nëntor, do të vendosë një izolim njëjavor në 4 rajonet më të prekura dhe mbyllje të pjesshme në pjesën tjetër të vendit.
Rajoni italian i Lazios rreth Romës, iu bashkua Lombardisë dhe Kampanjës në shpalljen e shtetrrethimit, gjatë natës. Holanda, që regjistroi 9 mijë raste në 24 orët e fundit, mund të nisë transferimin e pacientëve drejt Gjermanisë, pasi sistemi shëndetësor po i tejkalon kapacitetet.